Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Raporti i dyshimtë – prokurorja që ndoqi penalisht Agim Ademin u pagua nga FFK-ja

18/06/2026 - 19:34
në Lajme, Sport
A A
Raporti i dyshimtë – prokurorja që ndoqi penalisht Agim Ademin u pagua nga FFK-ja

Screenshot

Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Një anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës është përfshirë në pagesa të dyshimta nga Federata e Futbollit të Kosovës. Prokurorja Elza Bajrami-Kastrati ka përfituar pagë mujore për punë të realizuara në organizatën të cilën e drejton Agim Ademi, personi të cilin ajo e ndoqi penalisht. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e ka obliguar atë që ta shqyrtojë çështjen në KPK. Ajo ka tentuar ta mbyll rastin. 

Nëntori i vitit 2024 mund ta gjente Agim Ademin sërish në bankën e të akuzuarve në gjykatë, në rast se Prokuroria Themelore në Prishtinë do të arrinte ta rrëzonte aktgjykimin lirues ndaj tij.

Por zhvillimet morën një drejtim krejt tjetër.

Në vend se potencialisht të përballej sërish me proces gjyqësor, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, kishte në strukturat e federatës prokuroren që më herët kishte përfaqësuar aktakuzën kundër tij.

Elza Bajrami-Kastrati, aktualisht anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e cila përfaqësoi aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër Agim Ademit, u angazhua me pagesë në Federatën e Futbollit të Kosovës, sipas të dhënave publike nga deklarimet e pasurisë.

Përshkrimi i funksioneve që kryen Elza Bajrami-Kastrati në formularin e saj të pasurisë të vitit 2026
Përshkrimi i funksioneve që kryen Elza Bajrami-Kastrati në formularin e saj të pasurisë të vitit 2026

Në këtë pozitë, ish prokurorja e rastit të Agim Ademit dhe ish-zëvendëskryeprokurorja e Prishtinës u caktua me vendim të Zejnullah Gashit, kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Ky institucion e kishte hetuar penalisht kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës edhe në disa raste të tjera, përpos lëndës për detyrim.

Asnjë pëlqim për caktimin e saj në punë shtesë me pagesë në FFK nuk ishte dërguar për miratim në Këshillin Prokurorial të Shtetit, ndonëse jo më larg se të hënën e kësaj jave, një rast i ngjashëm u miratua nga KPK-ja.

Formularët e deklarimit të pasurisë së Bajrami-Kastratit tregojnë se ish-prokurorja e nisi angazhimin e saj me pagesë si “anëtare komisionesh” në FFK më 7 nëntor 2024.

Angazhimi i saj në FFK vazhdoi edhe pas vitit 2024, sipas dokumenteve të siguruara nga Paparaci.

Në vitin e parë të angazhimit në FFK, ndërsa ende ushtronte detyrën e prokurores dhe zëvendëskryeprokurores së Prishtinës, ajo përfitoi saktësisht 600 euro nga puna shtesë në shtëpinë e futbollit.

Të ardhurat vjetore të deklaruara nga Elza Bajrami-Kastrati në deklarimin e pasurisë të vitit 2025
Të ardhurat vjetore të deklaruara nga Elza Bajrami-Kastrati në deklarimin e pasurisë të vitit 2025

Në vitin e dytë të angazhimit, përfitoi edhe 3,900.13 euro të tjera nga FFK-ja, dëshmojnë formularët e deklarimit të pasurisë të anëtares së KPK-së.

Paga e Bajrami-Kastratit në FFK është 300 euro në muaj, raporton Paparaci.

Të ardhurat vjetore të deklaruara nga Elza Bajrami-Kastrati në deklarimin e pasurisë të vitit 2026
Të ardhurat vjetore të deklaruara nga Elza Bajrami-Kastrati në deklarimin e pasurisë të vitit 2026

Megjithatë, mbeten paqartësi rreth angazhimit të saj në një organizatë që drejtohet nga personi të cilin ajo e kishte ndjekur penalisht deri pak më shumë se një vit më parë.

Ligji ndalon punët shtesë të prokurorëve në rast konflikti interesi

Rreth një vit e gjysmë para emërimit në komisionet operative të FFK-së, Bajrami-Kastrati kishte përfaqësuar për herë të fundit aktakuzën e Prokurorisë kundër kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, në rastin ku ai gjykohej për veprën penale “detyrim në tentativë”.

Ishte marsi i vitit 2023.

Agim Ademi u lirua nga akuza për detyrim, në një rast ku akuzohej se kishte ndërmarrë veprime të paligjshme në dëm të pasurisë së një personi tjetër. Sipas aktakuzës, ai akuzohej për kërcënim dhe sulm ndaj një viktime me qëllim që kjo e fundit të ndërmerrte veprime në dëm të pasurisë së vet.

Aktgjykimin lirues ndaj Ademit e kishte nxjerrë Sabit Sadikaj, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sadikaj kishte konstatuar se nuk ishte provuar se Ademi dhe i bashkëakuzuari në këtë rast, Muharrem Rama, kishin kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria.

Në seancën ku u shpall aktgjykimi kishin munguar si prokurorja e rastit, ashtu edhe i pandehuri.

Megjithatë, aktgjykimi lirues i Gjykatës Themelore nuk e përfundon domosdoshmërisht rastin. Sipas ligjit, Prokuroria ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi të tillë në Gjykatën e Apelit, e cila mund ta lërë në fuqi, ta ndryshojë ose ta kthejë rastin në rigjykim.

Pikërisht për këtë arsye, për fatin përfundimtar të lëndës ka rëndësi nëse Prokuroria kishte ushtruar apo jo ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

Por, pavarësisht përpjekjeve, Paparaci nuk ka arritur të verifikojë nëse Prokuroria kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit lirues që nxori Gjykata Themelore në rastin e Agim Ademit.

Paparaci e ka pyetur si Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ashtu edhe ish-prokuroren Elza Bajrami-Kastrati nëse organi i akuzës kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit që e liroi Ademin nga akuza, por asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj kërkesës për sqarime.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar rreth një muaj më parë, Bajrami-Kastrati i sugjeroi Paparacit që pyetjet për rastin t’i drejtoheshin në adresën elektronike të Këshillit Prokurorial të Kosovës, me zotimin se do të kthente përgjigje me shkrim.

Megjithatë, Paparaci nuk mori asnjë përgjigje.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjes nëse ishte ushtruar ankesë, por sqaroi se Bajrami-Kastrati e kishte pezulluar ushtrimin e detyrës së prokurores pas emërimit si anëtare e KPK-së.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurorja znj. Elza Bajrami-Kastrati është emëruar anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për shkak të ushtrimit të këtij funksioni, ka pezulluar ushtrimin e detyrës së prokurores në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dërguar Paparacit më 19 maj.

Veprimtaritë shtesë të prokurorëve rregullohen me Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Kodin e Sjelljes dhe Etikës Profesionale të Prokurorëve.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, përfshirja e prokurorëve në aktivitete shtesë – përfshirë ato me pagesë – lejohet vetëm në raste specifike. Megjithatë, angazhimi në veprimtari jashtë funksionit nuk lejohet kur ekziston konflikt interesi.

Sipas nenit 25 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, prokurorët mund të angazhohen në veprimtari si pjesëmarrja në takime shkencore, ligjërata, trajnime apo përgatitjen e projekteve të ndryshme ligjore. Paragrafi 2 i këtij ligji përcakton se veprimtaria, edhe kur është me pagesë, duhet të jetë në përputhje me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorët.

“Varësisht prej miratimit nga Kryeprokurori i Shtetit, prokurorët mund të marrin kompensim për veprimtari të tilla në përputhje me Kodin e Etikës dhe Sjelljen Profesionale të Prokurorëve në rast se nuk ekziston konflikt interesi dhe nuk ka shkelje të ligjit, kodit të etikës apo akteve të tjera nënligjore”, thuhet në nenin 25 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit.

I njëjti kod parasheh se, në rastet e veprimtarive shtesë të lejuara me ligj, prokurorët mund të kompensohen deri në vlerën e 25 për qind të pagës bazë.

Agjencia paralajmëron Bajrami-Kastratin për konflikt interesi

Pas interesimit të Paparacit, Bajrami-Kastrati iu drejtua muajin e kaluar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të kërkuar vlerësim lidhur me mundësinë e konfliktit të interesit.

Por, në kërkesën e parashtruar pranë APK-së, ish-prokurorja e rastit të Agim Ademit nuk ka treguar se muaj më parë e kishte përfaqësuar në Gjykatë aktakuzën ndaj kryetarit të FFK-së. Ajo ka kërkuar sqarim vetëm nëse ushtrimi i dy pozitave, si anëtare e KPK-së dhe si anëtare komisionesh në KPK, paraqet konflikt interesi.

Në mbledhjen e 194-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të mbajtur më 15 qershor, ajo e përjashtoi veten nga votimi për caktimin e një prokuroreje tjetër në Komisionin e Akteve Normative në FFK.

Propozimi ishte në shqyrtim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Para se propozimi për caktimin e ish-koleges së saj nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Fitore Sadikaj, në komisionin e Federatës së Futbollit të Kosovës të hidhej në votim, Bajrami-Kastrati tha se më 5 qershor kishte pranuar vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

“Desha të ju njoftoj që në këtë proces më duhet të përjashtohem nga procesi i votimit, për shkak se pasi jam betuar si anëtare e Këshillit Prokurorial kam bërë një kërkesë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ku të njëjtit i kam pyetur nëse ekziston konflikt interesi lidhur me pozitën time si anëtare në komisione operative në FFK dhe pozitën time si anëtare e KPK-së”, tha Bajrami-Kastrati.

“Të njëjtit, më datën 5 qershor, më kanë njoftuar se nuk ka konflikt interesi të qenurit njëkohësisht anëtare e KPK-së dhe anëtare e komisioneve operative të FFK-së”, shtoi ajo.

Por, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e ka thënë krejt të kundërtën. E ka zbuluar hapur Kastrati-Bajramin.

Në një përgjigje me shkrim të enjten, një zëdhënës i APK-së i tha Paparacit se Agjencia nuk ka nxjerrë vendim formal në rastin e Bajrami-Kastratit. Tha se “vetëm ka kthyer përgjigje në pyetje lidhur me rastin e përmendur”.

Madje, APK, në përgjigjen për Bajrami-Kastratin – të cilën ia ka dërguar të plotë Paparacit – e ka paralajmëruar anëtaren e Këshillit Prokurorial se rasti i saj kërkon një vlerësim të kujdesshëm.

Agjencia e ka paralajmëruar ish-prokuroren se zyrtarët e lartë publikë, siç është rasti i saj, mund të angazhohen në organizata nga fusha e sportit, por pa të drejtë shpërblimi.

“Neni 14 [i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, v.j] parasheh mundësinë e anëtarësimit në organizata nga fusha e sportit, por pa të drejtë shpërblimi, përveç kompensimit të shpenzimeve. Duke qenë se në rastin tuaj ekziston një pagesë mujore, kjo çështje kërkon një vlerësim të kujdesshëm në raport me natyrën juridike të angazhimit dhe përputhshmërinë e tij me kufizimet e përcaktuara në këtë dispozitë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjet e KPK-së, dërguar Bajrami-Kastratit.

Në fund të përgjigjes, APK e ka obliguar anëtaren e KPK-së që rastin e saj ta dërgojë për shqyrtim në organin ku ajo është anëtare, pra Këshillin Prokurorial.

Megjithatë, anëtarja e organit më të lartë të sistemit po refuzon ta bëjë këtë.

Ajo është kujdesur vetëm që shmang votimet në çështje të tjera të shqyrtuara në këshill, e të cilat ndërlidhen me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Si për shembull në mbledhjen e zhvilluar më 18 maj, kur anëtarët e KPK-së refuzuan propozimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, për caktimin e tij në një komision operativ të FFK-së, ku do të kompensohej financiarisht.

Këshilli e hodhi poshtë kërkesën e tij, duke vlerësuar se ajo nuk mbështetej në Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe në Kodin e Etikës. Rast pothuajse identik me atë të Bajrami-Kastratit.

Vendimi i KPK-së për refuzimin e kërkesës së Agron Bajramit

Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cilësoi propozimin si “të çuditshëm”.

“E para, është një propozim shumë i çuditshëm ku Kryeprokurori i Apelit propozon veten për të qenë në një trup, ku përtej kësaj është edhe me pagesë”, tha Krasniqi.

Paparaci i ka dërguar pyetje Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me rastin e Bajrami-Kastratit, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

As Federata e Futbollit e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Paparacit, përmes të cilave u kërkuan sqarime për angazhimin e ish-prokurores së rastit të Agim Ademit në komisionet operative të FFK-së.

Përgjigja e plotë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në pyetjen e Paparacit rreth rastit të Elza Bajrami-Kastratit:

Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) nuk ka nxjerrë vendim formal në pyetjen e znj. Bajrami Kastrati, por ka kthyer vetëm përgjigje në pyetje lidhur me rastin e përmendur dhe atë si në vijim:

‘’E nderuara znj. Bajrami Kastrati,

Duke u bazuar kërkesën tuaj ku, përmes së cilës keni kërkuar,“ Sqarim nëse ekziston konflikt interesi në lidhje me mandatin tim si Anëtare e Këshillit Prokurorial dhe anëtare në komisione operative të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Nga data 6 mars 2026 me dhënien e betimit në Këshillin Prokurorial kam filluar ushtrimin e  mandatit tim si anëtare e këtij Këshilli.

Mirëpo, nga muaji Nëntor i vitit 2024 me vendim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë jam caktuar për të shërbyer si anëtare në Komisionet operative të Federatës së Futbollit të Kosovës, me detyra dhe përgjegjësi si shkallë e tretë në trajtimin e çështjeve që lidhen me rastet në futbollin e Kosovës. Kjo në kuadër të veprimtarive profesionale në të cilat Ligji për Prokurorin e Shtetit i mundëson prokurorit për të qenë pjesë.

Duhet theksuar se kjo pozitë dhe pagesa e pranuar në shumë prej 300 euro në muaj është deklaruar me rregull gjatë deklarimit të rregullt të Pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Andaj, meqenëse jemi në një situatë të tillë, përmes kësaj shkrese ju lutem të më njoftoni nëse mbajtja e dy pozitave paraqet konflikt interesi sipas Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, apo jo”.

Në mbështetje të nenit 21, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.5, të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (në vijim: Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit), lidhur me kërkesën tuaj për shqyrtimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit, ju njoftojmë se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të saj ligjore, Agjencia ofron këshillim për zyrtarët të lartë të veçantë, udhëheqësve, institucioneve udhëheqëse, me kërkesën e tyre, për raste të caktuara të shfaqjes së konfliktit të interesave, përfshirë këshillime të veçanta për personat zyrtarë sipas këtij ligji, pasi të jenë shteruar mjetet e brendshme në institucionet punëdhënëse dhe kur gjykohet e domosdoshme përfshirja e Agjencisë.

Në ketë kontekst për të ofruar një sqarimi të plotë dhe të gjithanshëm të kësaj situate, ju njoftojmë se Dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit përcaktojnë parimet, rregullat dhe procedurat lidhur me sjelljet e lejuara dhe të ndaluara të zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës publike, si dhe masat për shkeljen e këtyre dispozitave.

Ligji Nr.06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit rregullon procedurat për detyrimet e raportimit, masat për parandalimin, identifikimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesit publik dhe privat të zyrtarit gjatë dhe pas ushtrimit të detyrës publike, kështu sipas Neni 10 te këtij ligji është përcaktuar dispozita e cila rregullon Ushtrimin e punëve të tjera nga zyrtari kështu që, Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari mund të ushtrojë punë nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarisë humanitare, nëse nuk parashihet ndryshe me ligje të tjera (neni 10.2).

Andaj duke u bazuar në shpjegimin e normës (apo dispozitës ligjore) përkatëse, mund të kuptohet se  Angazhimi juaj në komisione operative të Federatës së Futbollit të Kosovës, në parim, si i tillë NUK mund të konsiderohet i ndaluar nga këndvështrimi i kësaj dispozite.

Megjithatë, kjo e drejtë e dhënë nuk është absolute pasi që duhet të analizohet në raport me ndalesat dhe kufizimet e tjera ligjore duke përfshi nenin 11 qe përcakton Punët e ndaluara, dhe çdo angazhim tjetër nëse ai:

* mund të ndikojë në paanshmërinë tuaj në ushtrimin e funksionit publik;

* krijon mundësi për keqpërdorim të informacionit zyrtar;

* cenon reputacionin e institucionit ku ushtroni funksionin;

* apo krijon çfarëdo ndërthurje të papërshtatshme ndërmjet funksioneve.

Po ashtu, neni 12 përcakton ndalesat për zyrtarët e lartë, të cilat lidhen kryesisht me ushtrimin e veprimtarive profesionale të licencuara dhe me marrëdhënie të rregullta pune; nga përshkrimi juaj nuk rezulton që këto ndalesa të jenë të aplikueshme në rastin konkret.

Sa i përket nenit 13, ndalohet ushtrimi i funksioneve menaxhuese apo mbikëqyrëse në persona juridikë privatë fitimprurës. Në këtë drejtim, është e nevojshme të vlerësohet natyra juridike e Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe roli juaj konkret në kuadër të komisioneve, me qëllim që të sigurohet se nuk bëhet fjalë për pozitë menaxhuese apo vendimmarrëse në kuptim të këtij neni.

Ndërkaq, neni 14 parasheh mundësinë e anëtarësimit në organizata nga fusha e sportit, por pa të drejtë shpërblimi, përveç kompensimit të shpenzimeve. Duke qenë se në rastin tuaj ekziston një pagesë mujore, kjo çështje kërkon një vlerësim të kujdesshëm në raport me natyrën juridike të angazhimit dhe përputhshmërinë e tij me kufizimet e përcaktuara në këtë dispozitë.

Gjithashtu, duke pasur parasysh pozitën tuaj, ju mbeteni e obliguar të shqyrtoni edhe legjislacionin përkatës të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe aktet e brendshme të tij, për të verifikuar nëse ekzistojnë ndalesa apo kufizime shtesë lidhur me ushtrimin e angazhimeve të tilla.

Në çdo rast konkret që mund të ndërlidhet me Federatën e Futbollit të Kosovës, ju obligoheni të përjashtoheni nga vendimmarrja, në përputhje me ligjin.

Duke ju falënderuar për qasjen tuaj proaktive dhe përkushtimin ndaj standardeve të integritetit, mbetemi në dispozicion për çdo sqarim shtesë.‘’

JU REKOMANDOJMË

Agim Veliu e quan dështim rezultatin e LDK’së: Përgjegjësia bie mbi arkitektët kryesorë Abdixhikun e Osmanin

Agim Veliu e quan dështim rezultatin e LDK’së: Përgjegjësia bie mbi arkitektët kryesorë Abdixhikun e Osmanin
18/06/2026 - 20:14

Agim Veliu deklaron se “LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj”. Prandaj ai thotë se...

Më shumëDetails

Burrin e Albulena Haxhiut e bën ‘horë’ kushëriri i tij: Mozamakeq për plakun kënd e ka lënë mbrapa, ruaje pak veten

Burri i Albulena Haxhiut e shkel betimin: Nga zyrat e KQZ-së, Alban Krasniqi tregon si të votohet VV-ja
18/06/2026 - 19:59

Alban Krasniqi, i cili njihet si burri i Albulena Haxhiut, ka vazhduar me kritikat ndaj sh-krerëve të UÇK-së. Fyerjet dhe sharjet e tij ndaj ish-eprorëve të UÇK-së kanë...

Më shumëDetails

Hoti paralajmëron protestë, kritikon Haxhiun për neglizhencë ndaj deklaratave të ShBA-së

Hoti paralajmëron protestë, kritikon Haxhiun për neglizhencë ndaj deklaratave të ShBA-së
18/06/2026 - 19:54

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, që tha se nuk e ka parë deklaratën e amerikanëve për projektin e gazit. Hoti tha...

Më shumëDetails

Konstituohet Këshilli Drejtues i Aleancës, Gjini i falënderon anëtarët për angazhimin gjatë procesit zgjedhor

Konstituohet Këshilli Drejtues i Aleancës, Gjini i falënderon anëtarët për angazhimin gjatë procesit zgjedhor
18/06/2026 - 19:23

Sot u konstituua Këshilli Drejtues i Aleancës, duke formalizuar përbërjen e re prej 108 anëtarësh me mandat katërvjeçar. Gjatë takimit konstituiv, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, u uroi...

Më shumëDetails

Kryeziu: VV dhe PDK do të mund të formonin koalicionin më funksional, por vendi rrezikon të shkon përsëri në zgjedhje

Kryeziu: Aktgjykimi i Kushtetueses mund të kryejë punë, Kryesuesi ta thërrasë seancën sa më parë
18/06/2026 - 18:50

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet partive politike në Kosovë, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe zgjedhje...

Më shumëDetails

Çekia e nisë furishëm, del në epërsi ndaj Afrikës së Jugut

Çekia e nisë furishëm, del në epërsi ndaj Afrikës së Jugut
18/06/2026 - 18:47

Kombëtarja e Çekisë ka dalë e para në epërsi, në ndeshjen ndaj Afrikës së Jugut. Kjo ndeshje po luhet në kuadër të xhiros së dytë të fazës së...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Mensur Bunjaku është biznesmeni i arrestuar që dyshohet se kanosi zyrtarin e AUV-it për shkak të detyrës zyrtare

    Mensur Bunjaku është biznesmeni i arrestuar që dyshohet se kanosi zyrtarin e AUV-it për shkak të detyrës zyrtare

    171 Shpërndaje
    Shpërndaje 68 Tweet 43
  • Garoi për herë të parë për deputete, ky është numri i votave që siguroi Fahrije Hoti

    122 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Murati paralajmëron se do t’ia bllokojnë autobusët dhe tramin Ramës

    101 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Këta janë 18 deputetët e LDK-së në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës

    95 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Kush hyn në Kuvend nga PDK-ja? Lista e plotë e 22 deputetëve të legjislaturës së njëmbëdhjetë

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë