Sa herë që shpifin e më përmendet emri nëpër portale (nxjerr qiftelinë)
Trembëdhjetë pikave të ‘rendit të ditës’ të Qeverisë në detyrë të Kosovës punëtori i RTK-së sot do t’ia ketë dhënë një lexim mos-po-e-gjen rrogen e vet të miratuar. Por, aty pa të ndahet buxhet për ‘projekte kapitale’ në Shtimen e Çliruar dhe Podujevën e Vetëvendosjes. Po, edhe buxhet për Ministrinë e Kulturës të drejtuar nga Hajrulla Çeku, kandidat edhe për Kryetar të Prishtinës. Tajmingu fiks për zgjedhjet lokale në horizont.
Dita e parë e muajit gusht i tregoi punëtorit të RTK-së se i ka punët tamam ngushtë. S’ka paga për ta. 700 punëtorë të RTK-së, për herë të parë që nga themelimi i saj, nuk do ta “lidhin muajin”.
Por, ‘Rapsodi i Gajretit’, Rilind Gërvalla, drejtori i RTK’së i emërur emisarisht nga Vetëvendosje, doli t’ua mirëmbajë ymytin me plot fjalë ‘të fisme’ për të mbushur boshllëkun e xhirollogarisë – dhe “xhirollogaridhënies” së vet. Valuta e tij ishte: dinjiteti.
S’ka pagë? S’ka gajle: “Punëtori i vërtetë i RTK-së…ndërgjegje të pastër”.
Kamatë të kredisë? “…për të mos humbur diçka shumë më të thellë: dinjitetin”.
Këtij ‘gajreti’ nuk iu përgjigjën punëtorët e papagë të RTK-së, por dikush që pagën e ka veçse kolateral: Blerim Haxhiaj. Haxhiaj i 200 mijë eurove nga pushteti, plus 11 mijë përmes të birit, Glauk Haxhiaj. Fjalët e ‘fisme’ me valutën e dinjitetit, e gjetën ‘llajkun’ përfundimtar.
Por, poshtë në hierarki të RTK-së – ndonëse pa pagë, kishte plot ironi dramatike.
“Të lumtë goja për këto fjalë revoluacinare”, e talli ‘Rapsodin e Gajretit’ shefi i produksionit në RTK. “Asnjë çast nuk do të zbrapsemi, vetëm e vetëm që të mos na lëndohet lideri – e aq më pak të na shqetësohet! Andaj, edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim – kthim prapa nuk ka! Rroftë revolucioni i vonuar!”.
Gërvallës i shkoi posht postimi fisnikëzues. “Ani dajës, ani”, ia ktheu Gërvalla.
Krejt në parodi komuniste e humorizoi një nga redaktorët e RTK-së, Jeton Musliu, duke e nxjerrë në formë dialogu komik. “Çka po hamë pë drekë? Dinjitet”, “Sot i pari gusht, fatuat m’i pagu? Kemi ndërgjegje sadush”. “O hut a po kfjellesh? Po jetoj çaste filozofike”.
E përfundoi me: Rroftë Shoku Mao.
Më i drejtpërdrejtë ishte autori i emisionit “Arkivi” në RTK, Fisnik Durguti: i cili s’e stërholoi në humor por konstatoi gjendje faktike.
“Menaxhment i paaftë. Qeveri e papërgjegjshme. I pari dështak dhe i dyti jo njerëzor. RTK do të qëndorjë sa shteti i Kosovës. Kjo nuk do të kalojë”, shkroi ai.
Gërvalla ditë më parë e provoi një dorë t’i godasë gazetarët – e jo t’u bëjë çahre për rroga, çka e ka përshkrim edhe të punës – për “grupacione politike” dhe të ardhur nga “politika” – dhe, brendarreshtash: ai profesionit dhe i pavarur.
Por, Gërvalla i emëruar drejtor i RTK-së në janar 2023 erdhi me gojëurdhër partiak nga vetë partia Vetëvendosje. Anipse ligji stipulon që Drejtor nuk mund të bëhet askush që tri vitet e fundit ka qenë zyrtarisht në struktura partiake, kjo s’vleu për të. Ai merrte pjesë në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së gjer në korrik të 2020’ës.