Lista Serbe ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka aprovuar ankesën e kësaj partie në lidhje me moscertifikimin në KQZ për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në reagim, Lista Serbe tha se KQZ-ja tash është e obliguar të veprojë sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që t’i certifikojë ata për pjesëmarrje në zgjedhje.
“KQZ-ja është e obliguar të veprojë sipas aktgjykimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe të certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje dhe tani mbetet të shihet nëse KQZ-ja do të vazhdojë të shkel ligjin, rregulloret dhe procedurat e veta sipas presionit të drejtpërdrejtë politik nga autoritetet në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, transmeton Klankosova.tv.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, në mbledhjen e KQZ-së të datës 23 dhjetor, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm. Në mbledhje, i vetmi që votoi pro certifikimit të këtij subjekti politik ishte kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Partitë tjera opozitare nuk morën pjesë në votim.
Arsye për moscertifikimin e saj, nga partia në pushtet u tha se ky subjekt politik i serbëve nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.