Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë ka reaguar ndaj disa shkrimeve në disa mediume, të cilat e atakonin grupin parlamentar të kësaj partie si fajtore për mos votimin e pikës së rendit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës që kishte të bënte me ndihmën për 16 familjet në lagjen Bair që u prekën nga vërshimet.
LVV përmes reagimit ka thënë se kjo pikë ka dështuar nga paaftësia e ekzekutivit dhe pozitës, pasi që thotë se Kuvendi Komunal i ka 35 anëtar dhe se LVV më numrat që ka në Kuvend nuk mund ta bllokoj asnjë projekt të ekzekutivit.
Kjo parti thotë se kishte kërkesë të vetme barazinë dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë qytetarëve të prekur, transmeton VeruInfo.
Madje, LVV ka akuzuar kryesuesen e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, që nuk e ka përfillur kërkesën e tyre për 30 sekonda konsultë të brendshme, duke e hedhur menjëherë në votim këtë pikë. Tutje në reagim thuhet se për shkak të pakënaqësive të brendshme, sallën e kanë lëshuar disa asamblistë të pozitës.
Reagimi i LVV – Mitrovicë:
Reagim për Publikun
Paaftësia e ekzekutivit dhe pozitës së Komunës së Mitrovicës nuk mund të mbulohet me gënjeshtra të ulëta.
Kuvendi i Komunës së Mitrovicës numëron gjithsej 35 anëtarë, ndërsa Lëvizja VETËVENDOSJE! ka realisht vetëm 8 vota dhe asesi nuk ka mundësi të bllokojë çfarëdo projekti të ekzekutivit. Për më tepër, nuk ka as vullnet të bllokojë apo sabotojë projektet që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës.
Një nga pikat e seancës së sotme ishte edhe “Propozim vendim për lejimin e mjeteve financiare nga subvencionet për familjet e prekura nga vërshimet dhe shembja e dheut në Komunën e Mitrovicës”. Ata janë gjithashtu edhe vëllezërit, motrat, fqinjët dhe miqtë tanë, dhe normalisht që e kemi për detyrë t’u dalim në ndihmë në momente të vështira.
Gjatë debatit të sotëm, kërkesa jonë e vetme ka qenë barazia dhe gjithëpërfshirja e të gjithë qytetarëve të prekur, pasi që ne i kemi dyshimet e bazuara se do të përsëritet keqpërdorimi i bërë gjatë shpërndarjes së 500,000€ në emër të kompenzimit të dëmeve për qytetarët e prekur nga vërshimet e janarit të vitit 2023. Ne kemi kërkuar listën e saktë të përfituesve nga kjo skemë, mirëpo për të evituar këtë kërkesë, ata nuk na kanë mundësuar që të bëhemi pjesë e votimit. Ne kemi kërkuar 30 sekonda kohë për konsultime brenda grupit se si të procedojmë, por kryesuesja vendosi ta hedhë në votim, edhe pse nuk kishte kuorumin e nevojshëm. Po ashtu duhet të cekur mungesën e asamblistëve të pozitës të cilët në rastin e votimit, për shkak të pakënaqësive në mesin e tyre, e lëshuan sallën, aq më tepër kur pagat e asamblistëve janë më shumë se dinjitoze.
Për hir të korrektësisë dhe transparencës, i lusim të gjithë qytetarët të përcjellin inçizimin e seancës dhe aty do të kuptohet e vërteta. Po ashtu, kërkojmë nga portalet që e kanë publikuar lajmin e pavërtetë të kërkojnë falje publike, përndryshe ata do të ndeshen me padinë tonë për shpifje.
Ne i garantojmë qytetarët se në asnjë rast nuk do të bëjmë politikë kur ka të bëjë me mirëqenien e tyre.