Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ka deklaruar se përderisa Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë.Sipas tij, Gjermania në vazhdimësi ka ofruar ndihmë thelbësore për institucionet e Kosovës në zbatimin e reformave thelbësore të nevojshme për procesin e integrimit në BE, jo vetëm dypalëshe me rreth 800 milionë euro, por edhe me kontribute të konsiderueshme në programet IPA të BE-së.“Jam veçanërisht i lumtur që shoh përparimin e Kosovës në sektorin e tyre digjital. Miratimi i strategjisë së E-Qeverisjes, zgjerimi i shërbimeve përmes E-Kosova dhe përpjekjet për uljen e barrës administrative po ua lehtësojnë jetën qytetarëve kosovarë. Përderisa Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, megjithatë nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë”, tha ai.Ai ngriti si shqetësim edhe mos miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku tha se Kosova po humb afërsisht 400 milionë euro investime.Ai vlerësoi shumë përpjekjet e rëndësishme dhe integritetin e treguar nga qeveria, zbatimi efektiv duhet të trajtohet tani.