Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e garës në zgjedhjet e 7 qershorit, raporton Veriu.info.
Ajo ka falënderuar strukturat e LDK-së në Vushtrri dhe në të gjithë Kosovën për mbeshtetjen dhe besimin e vazhdueshëm ndër vite.
”Edhe pse kësaj here nuk do të jem pjesë e listës zgjedhore, përkushtimi im ndaj LDK-së mbetet i palëkundur. Besoj fuqishëm se LDK është esenciale për shtetin e Kosovës dhe do të vazhdoj të kontribuoj me të njëjtin ideal, energji dhe përgjegjësi politike.” – shkruan Krasniqi.
Njoftimi i plotë i saj:
Të dashur qytetarë,
Pas shumë diskutimeve dhe reflektimeve personale, kam vendosur që kësaj here të mos jem pjesë e garës për kandidate për deputete.
Falënderoj pafundësisht strukturat e LDK-së në Vushtrri dhe në gjithë Kosovën për mbështetjen, respektin dhe besimin e vazhdueshëm ndër vite. Për mua, kjo ka qenë gjithmonë vlera më e madhe politike dhe njerëzore.
Si nënkryetare e degës në Vushtrri, do të vazhdoj të punoj pa u ndalur për fitoren e LDK-së, për forcimin e strukturave tona dhe për rikthimin e besimit qytetar tek vizioni rugovian që i duhet Kosovës më shumë se kurrë. Bashkë do të angazhohemi që më 7 Qershor ta rikthejmë Lidhjen Demokratike të Kosovës në krye të punëve.
Edhe pse kësaj here nuk do të jem pjesë e listës zgjedhore, përkushtimi im ndaj LDK-së mbetet i palëkundur. Besoj fuqishëm se LDK është esenciale për shtetin e Kosovës dhe do të vazhdoj të kontribuoj me të njëjtin ideal, energji dhe përgjegjësi politike.
LDK ka kaluar gjithmonë sfida të mëdha, sepse forca e saj buron nga njerëzit e mirë të këtij vendi dhe nga besimi i tyre tek ata që i qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira. LDK nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pronë e interesave personale apo stacion i përkohshëm për ambicie individuale.
LDK ËSHTË E POPULLIT.
Shihemi në betejat e radhës!
E juaja,
Rrezja 🫶













