Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, me numrin 36 në listën zgjedhore, ka uruar 36-vjetorin e themelimit të LDK-së, duke e cilësuar këtë përvjetor si simbol të vizionit, sakrificës dhe rrugëtimit shtetformues të Kosovës.
Ajo ka theksuar se LDK, nën frymën e prijësit dhe Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ka ndërtuar themelet e shtetit dhe vazhdon të mbetet forcë e rëndësishme politike në vend. Sipas Krasniqit, numri 36 nuk përfaqëson vetëm histori, por vazhdimësinë e rrugës së trasuar nga ati themeltar i LDK-së.
Rrezarta Krasniqi ka shprehur krenarinë që mban numrin 36 në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së, duke e cilësuar atë si simbol të besimit, përgjegjësisë dhe angazhimit për një Kosovë demokratike, me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me synim integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Në mesazhin e saj, ajo ka nënvizuar vazhdimësinë e LDK-së ndër vite, duke përmbyllur me urime dhe bekime për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.













