Deputeti i LVV’së, Adnan Rrustemi, ka shkruar se zgjedhja e Presidentit të vendit dhe votimi i Ligjit për Gjykatën Speciale janë dy gjëra që janë bërë siç ka dashur Albin Kurti dhe sipas tij, s’bëhet fjalë për kurrfarë dorëzimi.
Sipas Rrustemit, nëse mes protestuesve ka pasur plane për sulm të armatosur e incidente, kjo ka mundur të ndodhë vetëm për shkak të humbjes së pushtetit dhe jo për shkak të Ligjit, meqë sipas Rrustemit, Ligjin nuk e ka penguar askush.
“Ligj e president. Kështu kishim thënë nga dita e parë. Dhe kështu u bë në fund. U bë siç tha Albini, siç deshi ai dhe siç donte populli. Për çfarë dorëzimi po flisni?!
Nëse paska pasur plan për sulm të armatosur me bomba e për gjakderdhje, nuk ka pasur arsye, sepse ligjin askush se ka penguar. Çfarë pengohej atë ditë, ishte zgjedhja e presidentit, sepse kërkohej kaos. E nëse ka pasur bomba, ato nuk kanë qenë për ligjin, por për pushtetin që e kanë humbur. Edhe brenda dikursit të gjuhës së tyre të bombave, Albin Kurti qenka dëshmuar burrshteti, kurse ju asgjë për të parandaluar, apo ka dëshpërim pse Kosova u bë më në fund me president, me institucione dhe votoi ligjin që kërkohej pa ia ditur efektin”, ka shkruar Rrustemi.
















