Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, duke injoruar faktin se shqiptarët e Kosovës ishin viktima të një regjimi dhe të një lufte të zhvilluar nga Serbia, po thotë se të tjerët duhet të ndëshkohen, duke pretenduar se janë kryer krime ndaj popullsisë serbe.
ZËDHËNËSJA E PUTINIT Rusia i gëzohet dënimit të UÇK-së, kërkon edhe më shumë vite burg për Thaçin dhe të tjerët
Maria Zaharova – Zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë
Rusisë, ashtu siç pritej, nuk po i duket i mjaftueshëm dënimi drakonik prej 81 vjetësh për ish-krerët e UÇK-së.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, duke injoruar faktin se shqiptarët e Kosovës ishin viktima të një regjimi dhe të një lufte të zhvilluar nga Serbia, po thotë se të tjerët duhet të ndëshkohen, duke pretenduar se janë kryer krime ndaj popullsisë serbe.
Saktësisht, ajo ka deklaruar se “militantët kosovaro-shqiptarë” duhet të përballen me ndëshkim për krimet e kryera ndaj popullsisë serbe.
“Ne besojmë se militantët kosovaro-shqiptarë duhet, në fund të fundit, të përballen me një ndëshkim të drejtë për veprat e tyre të tmerrshme, në masën e plotë të ligjit”, ka thënë ajo, raporton Sputnik.
Ajo e ka cilësuar aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëpunëtorëve të tij si të vonuar dhe të diskutueshëm, ndonëse ka thënë se vetë fakti i dënimit të tyre për krime lufte meriton miratim.
Zaharova ka pretenduar se Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas gjashtë vjetësh shqyrtimi të mijëra provave dhe dëgjimi të qindra dëshmitarëve, nuk kanë zbatuar ashpërsinë e drejtësisë që, sipas saj, ishte e nevojshme në këtë rast.
“Aktgjykimi është dukshëm i vonuar dhe ngre shumë pikëpyetje”, ka deklaruar ajo.












