Redaksia e TandemPress ka siguruar raportin mjekësor të njërit prej pacientëve të përfshirë në rastin e helmimit që ka nxitur hetime nga institucionet kompetente. Në dokumentin mjekësor, në posedim të redaksisë, diagnoza përfundimtare e pacientit është Salmonellosis A02.0.
Përveç raportit mjekësor, TandemPress ka siguruar edhe dëshminë e pagesës, e cila tregon se pacienti kishte konsumuar ushqim në Sach Pizza përpara se të kërkonte ndihmë mjekësore.


Publikimi i këtyre dokumenteve vjen pasi Sach Pizza njoftoi se rezultatet laboratorike të mostrave të ushqimit dhe strishove të marra në lokalet e saj nuk kanë identifikuar baktere patogjene, përfshirë Salmonella spp., duke u thirrur në analizat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Ndërkohë, IKSHPK ka bërë të ditur se në mostrat e marra nga pacientët është konfirmuar Salmonella Enteritidis, ndërsa mostrat e ushqimit dhe strishot kanë rezultuar negative. Instituti ka theksuar se mungesa e salmonelës në mostrat e ushqimit në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët dhe se hetimi epidemiologjik vazhdon.














