Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka kërkuar që kompania farmaceutike “Provit Pharmaceutical” të përjashtohet nga pjesëmarrja në tenderët publikë, nën dyshimet për mos-paraqitje të dokumenteve nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe gjykata. Megjithatë, një kërkesë e tillë nuk u aprovua nga Gjykata e Tenderëve.
“Provit Pharmeceutical” kishte garuar për një tender për furnizimin në listën esenciale të barnave. Megjithatë, nuk kishte arritur t’i ofrojë dokumentet e kërkuara nga SHSKUK’ja. Saktësisht vërtetimin e ATK’së dhe vërtetimin e gjykatës, se nuk janë nën hetime, shkruan Gazeta Insajderi.
Për këtë rast, SHSKUK iu është drejtuar Gjykatës së Tenderëve, duke kërkuar që ta skualifikojë kompaninë farmaceutike për pjesëmarrje në tenderë.
“OE Provit Pharmaceutical Sh.p.k, nuk i eshte pergjigjur kerkeses se autoritetit kontraktues per dorezimin e deshmive te parapara ne nenin 65 te LPP-se, pra sipas AK-se, veprimet e OE Provit Pharmaceutical, bien ne kundershtim me nenin 25 te Rregullores per prokurim publik nr. 001/2022. Mbi bazen e sqarimeve te dhena me larte, autoriteti kontraktues kerkon marrjen e masave eventuale sipas nenit 99.2 te LPP-se me pretendimin se OE Provit Pharmaceutical Sh.p.k“, thuhet në parashtrimet e SHSKUK’së.
OSHP iu është drejtuar me kërkesë për sqarim kompanisë, e cila në arsyetimin e dhënë, kanë thënë se kanë hasur vështirësi në furnizimin e barnave.
“OE Provit Pharmaceutical Sh.p.k., në përgjigje të kërkesës së OSHP-së, ka deklaruar se ka hasur në vështirësi në furnizim, për shkak të paqëndrueshmërisë globale të kostos së lëndës së parë, sipas informatave të marra nga prodhuesi“, thuhet në dokumentin e OSHP’së.
Megjithatë, paneli shqyrtues i kësaj lënde nga OSHP’ja kanë vendosur ta falin kompaninë farmaceutike, për shkak të një vakumi ligjor. Pra, për shkak të anulimit të Lotit 3, kontratë kjo të cilën e kishte fituar “Provit Pharmeceutical”, gjë që nuk përbën dëmtim buxhetor.
“Paneli shqyrtues, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kontraktues dhe arsyeshmërisë së dhënë, diskutimeve dhe shoshitjes së provave paneli shqyrtues vlerëson se autoriteti kontraktues – Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitarë i Kosovës,per mos dorëzimin e dokumenteve nga ana e OE ne fjale, megjithatë PSH konstaton se lidhur me këtë kërkesë të parashtruar nga AK kemi një vakum ligjore ndërsa nëse i referohemi Rregullores per prokurim publik PSH vlerëson se në rastin konkret s’kemi të bëjme me dëmtim buxhetor për shkak se AK ka anuluar aktivitetin e prokurimit për Lot 3, per te cilin edhe ka dorëzuar këtë kërkesë“.
Kontrata që fillimisht iu dha kësaj kompanie ishte në vlerë prej afro 200 mijë eurosh. Megjithatë, si shkak i problemeve të sipërpërmendura, SHSKUK e anuloi Lotin 3 të furnizimit me tenofovir disoproxil fumarate (TDF).
Kompania në fjalë figuron e regjistruar në Kosovë që nga 9 janari i 2020-ës. Ajo është me seli në Prishtinë, teksa pronarë të saj janë Granit Ahmeti dhe Gazmend Foniqi, me nga 50 për qind të aksioneve.

Kompania figuron të ketë seli në Shqipëri përpara se të kishte në Kosovë. Daton që nga 28 janari i 2018-ës. Në të është pronar me 100 për qind të aksioneve Granit Ahmeti.
Në bazë të përshkrimit të aktivitetit biznesor, thuhet se kompania bën importin dhe eksportin e tregtimin me shumicë dhe pakicë të artikujve të ndryshëm farmaceutikë, si dhe pajisjeve mjekësore.















