Seanca e parë plenare e Kuvendit të Shqipërisë pas zgjedhjeve të 11 majit u mbyll pas vetëm 15 minutash, mes tensioneve dhe përplasjeve të forta mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, shkruan Gazeta Sinjali.
Opozita akuzoi mazhorancën për përdorimin e bandave kriminale gjatë procesit zgjedhor dhe kërkoi ndryshimin e rendit të ditës. Kërkesa u refuzua nga shumica, çka solli reagimin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Debati i ashpër mes Berishës dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, çoi në ndërprerjen e seancës:
Spiropali: “Koha mbaroi”
Berisha: “Cila kohë”
Spiropali: “Koha juaj ka mbaruar, ka perënduar”
Berisha: (flet pa mikrofon)
Më tej, Berisha drejtoi akuza personale ndaj ministrit Blendi Gonxhe:
Berisha: “Të dashur qytetare dhe qytetarë, ai që shihni aty, ai ndërroi mbiemrin. Ai tani quhet Blendi Xhabafti. Ai është Blendi Xhabafti, një bandit më i keq, më i rrezikshëm se Robert dhe Alfred Xhabafti. Ja, ky është! Ai është njëlloj si ti, se edhe ti erdhe si Spiropali dhe përfundove si Spirogjoka.”
Deklaratat e tij nxorën në reagim edhe deputetin e PS-së, Niko Peleshi:
Peleshi: “Jemi dakord të fillojmë punën, mbi të gjitha për shqiptarët, jemi Parlament, s’jemi në cirk. Natyrisht që kemi plot arsye të kërkojmë diskutime jashtë rendit se kemi shumë arsye dhe falënderime, por s’është ky momenti. Kemi disa seanca intensive deri në fund të korrikut. Edhe ai është njësoj si ty se ti erdhe si Spiropali e ike si Spirogjoka.”
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, reagoi ashpër:
Spiropali: “Të heq të drejtën e fjalës, s’mund të vish këtu pas humbjes tënde turpëruese dhe të tentosh të prishësh Kuvendin e Shqipërisë. Ky është rendi i ditës, keni bërë kërkesë, s’mund të flasësh, e ke mbyllur siç e ke mbyllur gjithmonë. Mbyllet seanca plenare.”
Në përfundim të përplasjes, mazhoranca miratoi me votat e saj kalendarin e shqyrtimit të ligjeve deri më 8 korrik, fundi i kësaj legjislature. Opozita akuzoi shumicën për censurë parlamentare dhe mohim të së drejtës së fjalës, ndërsa seanca u mbyll pa ndonjë vendim politik apo diskutim të thelluar.