Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, opinionisti Dardan Sejdiu theksoi se reagimi i familjes Jashari shmangu përfshirjen e një sakrifice historike në taktizime politike.
“Mendoj që zotëri Kurti është mjeshtër i manipulimit emocional, por këtë manipulim ia hoqi prej rendit të ditës familja Jashari, dhe besoj që ka qenë një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e Kosovës që të mos lejohet futja e një sakrifice aq të madhe, një familje me një rëndësi të madhe historike për vendin, të futet në diskutime në mes të njerëzve të cilët nuk e kanë asnjë lloj ideje se si duket e ardhmja e Kosovës, dhe në njëfarë forme të bëhet monedhë dhe transaksion e taktizim politik. Ata ishin jashtëzakonisht të qartë dhe mendoj se kanë bërë një punë që e nderon edhe një herë më shumë krejt atë angazhim e sakrificë, dhe historinë e familjes. Ashtu unë besoj se ruhet krejt ajo sakrificë”, deklaroi Sejdiu.
Sejdiu kritikoi ndryshimin e shpejtë të qëndrimeve të Kurtit brenda pak ditësh. Ai shtoi se propozimi i mundshëm i Glauk Konjufcës për president bie plotësisht ndesh me deklaratat e mëparshme publike që vetë Konjufca dhe Kurti kishin bërë para mediave. “[…] është kundër asaj që e ka thënë vetë Konjufca e edhe vetë zotëri Kurti në konferencë për shtyp”.












