Mbushja e Rezervës Shtetërore këtë vit po bëhet përmes procedurave publike të prokurimit. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka shpallur javën e kaluar një tender në vlerë 4 milionë euro për furnizim me mbi 13 mijë tonë grure për nevoja të rezervës. Procedurat e prokurimit për mbushjen e rezervës ishin përjashtuar në vitin 2022, përmes një vendimi të Kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesës nga MINT. Ministrja Rozeta Hajdari është treguar e ashpër mbrëmë për këtë temë, në një intervistë në RTK.
Javën e kaluar, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka shpallur thirrje publike për furnizim me grurë për nevoja të Rezervës Shtetërore.
Shpallja e tenderit u bë një ditë pasi Qeveria e Kosovës aprovoi Planin Strategjik 2024-2026 dhe Programin Vjetor për Rezervat Shtetërore të Mallrave për vitin 2024. Për të diskutuar për këto vendime, Kryeministri Albin Kurti e ndërpreu edhe transmetimin direkt të mbledhjes, derisa vendimet u publikuan më pas nga Zyra e Kryeministrit.
Për këtë tender, MINT ka planifikuar të shpenzojë 4 milionë euro. Me këto para parashihet furnizimi me mbi 13 mijë tonë grurë.
Afatet kohore për ta kryer këtë furnizim, janë 15 ditë nga dhënia e kontratës, derisa ai për dorëzim të ofertave përfundon të premten e ardhshme.
“DRSHM ka nevojë për shtim te rezervave shtetërore së grurit nga që furnizimi me këtë artikull është me qëllim për t’u siguruar qytetarëve sasitë domosdoshme në rast fatkeqësive natyrore apo lufte, dhe destinimi i buxhetit të DRSHM, sipas Programit vjetor të miratuar nga Qeveria”, thuhet në njoftim.
E ndonëse ky tender është shpallur nga MINT, e para e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari, mbrëmë ka refuzuar të flasë për këtë temë, duke u thirrur në sekret shtetëror.
Hajdari ka reaguar ashpër pasi është pyetur nga gazetari i RTK’së lidhur me aferën për rezervën shtetërore që shpërtheu në gusht të vitit të kaluar, ku u arrestuan zyrtarë të MINT.
Hajdari tha se asnjëherë si Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk ka qenë e përfshirë në negocim, blerje, pranim, e dorëzim.
Pasi u pyet nëse ka dërguar ndonjë e-mail për këtë çështje, Hajdari i kërkoi gazetarit ta mbyllë temën.
“Të lutem, a jeni ju sot prokuror apo gazetar. Të lutem mbylle këtë temë sepse është çështje sekrete….Të lutem nuk mund të përgjigjem. Është çështje shumë, është çështje sekrete…Sipas Nenit 52 të Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, çdo dhënie e informacionit të pjesërishëm apo komplet, është vepër penale”, deklaroi Hajdari.
Edhe pasi u pyet për shpalljen e fundit publike, ajo refuzoi të përgjigjet.
“Shfrytëzoj të drejtën time të të mos përgjigjem. Është gjithçka sekrete sa i përket pyetjeve që i keni për rezervën shtetërore. Gjithçka është publike çka duhet të jetë publike. Nuk elaboroj as për sa kemi ftuar as si i kemi ftuar, janë ligjet në fuqi. Uroj që të kemi sa ma shumë aplikues dhe të kemi më shumë konsolidim të rezervës”, tha Hajdari.
Mirëpo, e shfrytëzoi pak rastin për të thumbuar Qeveritë e kaluara.
“Mund ta konstatoj se Republika e Kosovës tash përmes qeverisjes sonë ka siguruar për 30 përqind më shumë vetëm për një vit Rezervën Shtetërore dhe si e kemi gjetur e tek, unë prapë rezervohem sepse unë nuk elaboroj se si në çfarë mase e tek janë edhe dokumentet publike të buxhetit vit pas viti, që mund ta vlerësoni se si ka qenë e trajtuar rezerva shtetërore”, tha Hajdari.
Ndryshe, në shkurt të vitit 2022, Kryeministri Albin Kurti kishte marrë vendim përmes së cilit, MINT’it i mundësohej përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të Rezervës Shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret.
Ndërkohë, vitin e kaluar kishte shpërthyer afera pikërisht për rezervën shtetërore, që kishte përfunduar me arrestimin e dy zyrtarëve të MINT dhe një biznesmeni.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale ka intervistuar para disa muajve edhe vetë Ministren Rozeta Hajdari, në cilësinë e të pandehurës.