Raportohet se 150 serbë janë nisur në këmbë nga Kosova për në Beograd në mëngjesin e sotëm, për të marrë pjesë në mbledhjen e 12 prillit, me rastin e themelimit të Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka paralajmëruar për fundjavën e ardhshme.
Ata kanë krijuar një kolonë në një udhëtim prej 250 kilometrash.
“Moti i keq, shiu dhe bora nuk do të na pengojnë të arrijmë qëllimin tonë dhe të arrijmë të gjallë dhe të mirë në tubimin e madh që mbahet të shtunën. Ne nga Kosova do ta mbrojmë Kosovën tonë edhe në Beograd sepse vendi ynë është i sulmuar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”, tha Ivan Cvetkoviq.
Derisa, vetë presidenti serb i ka ftuar serbët nga rrjeti social, TikTok, për të marrë pjesë në këtë tubim, ka raportuar portali “Kosova Online”.
“Tash e disa muaj po organizohet përpjekja për të përmbysur Serbinë” nga jashtë dhe nga brenda dhe se, siç tha ai, “duhet ta kthejmë shtetin e vjedhur”.
“Ju vendosni se në çfarë lloj vendi dëshironi të jetoni. Ju pyesni veten. Dhe po, nesër mund të jetë tepër vonë. Serbia do të fitojë! Shihemi në Beograd më 12 prill në orën 19:00”, tha Vuçiq në një postim në TikTok.

