Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Serbia hesht ndaj kritikave të FBI-së: Si u arratis shtetasi kinez që kërkohet nga SHBA-ja?

16/05/2026 - 16:35
në Lajme
A A
Serbia hesht ndaj kritikave të FBI-së: Si u arratis shtetasi kinez që kërkohet nga SHBA-ja?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Xu Zewei, shtetas kinez që Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar për hakimin e hulumtimeve amerikane për COVID-19, u ekstradua në SHBA në fund të prillit nga Italia.

Një skenar të tillë e shmangu shtetasi kinez Cui Guanghai, pasi iku nga arresti shtëpiak në Beograd.

Ai ishte ndaluar me kërkesë të autoriteteve amerikane për shkak të akuzave për përndjekjen e një artisti kinez që jeton në SHBA.

Më vonë, në SHBA ai u akuzua edhe për tentativë kontrabandimi të pajisjeve ushtarake drejt Kinës.

Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), Kash Patel, e përmendi pikërisht Serbinë si një nga vendet që shtetasit kinezë, në vend se t’i ekstradojë në SHBA, i kthen në Kinë.

Gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan më 12 maj, Patel, duke shpjeguar vizitën në Milano, tha se atje në paraburgim ndodhej një kriminel i nivelit të lartë kibernetik i lidhur me Partinë Komuniste të Kinës.

“Arritëm të siguronim një marrëveshje që ai person të dëbohej nga Italia në vend që të kthehej në Kinë, siç ka ndodhur shpesh në vende si Serbia”, tha ai.

Institucionet e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimin e shefit të FBI-së, Patel, të bërë në Kongresin amerikan.

Ndërkaq, Sërxhan Cvijiq nga organizata joqeveritare Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ky është një sinjal shumë i keq për Serbinë.

Ai theksoi se, kur drejtori i FBI-së përmend një vend para Kongresit në kontekstin e Kinës, ekstradimeve dhe kërcënimeve të sigurisë, kjo “nuk është një shqetësim diplomatik kalimtar”.

“Kjo do të thotë se ai vend ka hyrë në diskursin amerikan të sigurisë si një aktor problematik”, vlerësoi ai.

Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mban raporte të ngushta dhe ka bashkëpunim politik, ekonomik dhe ushtarak me Kinën, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Kina është e angazhuar në projekte infrastrukturore në Serbi, merren kredi nga bankat kineze, ndërsa vitet e fundit Serbia ka intensifikuar blerjen e armëve kineze.

Kë kanë kërkuar SHBA-ja nga Serbia?

Drejtori i FBI-së nuk përmendi emra apo raste konkrete para Kongresit amerikan kur foli për Serbinë.

Por, duke folur më 28 prill për Fox News lidhur me ekstradimin e Xu Zeweit nga Italia, ai tha se kishte pasur një rast kur, në vitin 2025, një shtetas kinez ishte ndaluar në Serbi.

Ai shtoi se në fund ai “u kthye në Kinë, pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të siguruar ekstradimin e tij”.

Në shtator të vitit 2025 u bë e ditur se, pasi kishin hequr byzylykët elektronikë nga arresti shtëpiak në Beograd, kishin ikur shtetasi kinez Guanghai dhe britaniku John Miller.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ata dyshohen se “kanë koordinuar dhe udhëhequr një komplot për të frikësuar dhe kërcënuar një qytetar të Los Anxhelosit, i cili kishte kritikuar publikisht presidentin kinez Xi Jinping”.

Pas arratisjes së tyre, Gjykata e Lartë në Beograd urdhëroi shpalljen e tyre në kërkim.

Rasti i arratisjes mbetet ende i pazbardhur.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse të dy e kanë lëshuar territorin e Serbisë dhe si ka qenë e mundur të arratiseshin ndërsa ishin nën mbikëqyrje, përmes byzylykëve elektronikë.

Po ashtu, autoritetet nuk janë përgjigjur nëse ata janë duke u kërkuar.

Media hulumtuese BIRN raportoi në nëntor të vitit 2025 se vetëm një orë pasi Guanghai dhe Miller u zhdukën, nga aeroporti i Beogradit drejt Pekinit ishte nisur një avion privat i një kompanie kineze.

As Ambasada e Kinës në Beograd nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse kishte qenë në kontakt me Guanghai dhe Miller që nga momenti i arratisjes dhe nëse kishte marrë pjesë në çfarëdo mënyre në largimin e tyre nga Serbia.

Sërxhan Cvijiq nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, tha se përmendja e Serbisë në Kongres tregon se për SHBA-në ky rast po bëhet diçka “shumë më serioze sesa një keqkuptim diplomatik”.

“Për ta, kjo është pjesë e një çështjeje më të gjerë: nëse Serbia është një vend që bashkëpunon me SHBA-në në frenimin e ndikimit kinez, represionit transnacional dhe transferit të paligjshëm të teknologjisë, apo një vend që në momentet kyç u jep përparësi marrëdhënieve me Pekinin”, tha ai.

Autoritetet në Serbi, që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në vitin 2012, kanë zhvilluar intensivisht marrëdhëniet me Kinën dhe udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

Udhëheqësit e të dy vendeve i përshkruajnë marrëdhëniet mes shteteve si “miqësi prej çeliku”.

Nga ana tjetër, Kina për SHBA-në, siç tha Cvijiq, paraqet sfidën qendrore në aspektin e sigurisë, teknologjisë, ekonomisë, inteligjencës dhe gjeopolitikës.

Për këtë arsye, shtoi ai, është veçanërisht e rrezikshme që Serbia në këtë kontekst të lidhet me Kinën në Kongresin amerikan.

“Nëse Serbia në Uashington fillon të shihet si një vend ku shtetasit kinezë, të kërkuar nga drejtësia amerikane, mund të shmangin ekstradimin në SHBA dhe të përfundojnë në Kinë ose të zhduken nga procesi juridik, atëherë kjo dëmton drejtpërdrejt besimin ndaj Beogradit”, shtoi ai.

Si u përgjigjet Serbia kërkesave për ekstradim?

Cvijiq vlerësoi se rasti i arratisjes së shtetasit kinez nuk flet vetëm për një dështim në sistemin e sigurisë, por për një model shumë më të thellë të sjelljes së shtetit të Serbisë.

Kjo tregon, sipas tij, edhe selektivitet në sjelljen e autoriteteve serbe, kështu që kur SHBA-ja kërkon persona të lidhur me operacione kineze, ata arratisen nga arresti shtëpiak.

“Kur Rusia ose Bjellorusia ndjekin disidentët e tyre, institucionet serbe papritur dinë të jenë shumë bashkëpunuese, shumë të shpejta dhe shumë të ashpra”, tha ai.

Aktivisti dhe gazetari bjellorus Andrej Gnyot kaloi një vit në paraburgim në Serbi duke pritur vendimin për ekstradimin e tij në Minsk.

Pas heqjes së masës së paraburgimit, ai u largua nga Serbia më 31 tetor 2024.

Serbia po ashtu ka një histori problematike të ekstradimit të shtetasve turq drejt Turqisë, pavarësisht thirrjeve nga Kombet e Bashkuara që të përmbahet nga ekstradimet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë vazhdimisht se për Serbinë, përveç Kinës dhe Rusisë, po aq të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet e mira me SHBA-në dhe BE-në.

Serbia është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor që është kandidate për anëtarësim në BE, por vitet e fundit ka stagnuar dhe ka mbetur prapa në procesin integrues.

Një nga arsyet për këtë është edhe mosharmonizimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së./REL

JU REKOMANDOJMË

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’
01/09/2026 - 22:54

Gani Geci nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në këtë subjekt politik ku gjashtë deputetë të kësaj partie vendosëm mos t’a mbështesin Bekim...

Më shumëDetails

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë
01/09/2026 - 22:46

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Ai foli edhe për gjashtë deputetët e LDK-së që deklaruan se...

Më shumëDetails

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë
01/09/2026 - 22:36

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Kurti tha se marrëveshja me LDK-në është e vlefshme,...

Më shumëDetails

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant
01/09/2026 - 22:23

Gazetari Baton Haxhiu, ka lëshuar Kritika të ashpra ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Haxhiu ka thënë se është lajm i keq për Kosovën që nuk po formohen...

Më shumëDetails

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë
01/09/2026 - 22:13

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirëShare Button Gazeta Blic Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku,...

Më shumëDetails

Sejdiu: Kurti e ka ditur se në LDK do të ketë deputetë që s’votojnë për president

Ish-nënkryetari i VV-së: Në vend është instaluar një politikë e frikës
01/09/2026 - 22:01

Opinionisti Dardan Sejdiu, ka folur për debatin brenda LDK-së dhe kundërshtimet e disa deputetëve të saj për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Sjediut për kryetar të shtetit. Ai...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    176 Shpërndaje
    Shpërndaje 70 Tweet 44
  • A do ta votojë Bekim Sejdiun? Flet Hykmete Bajrami

    123 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Ekskluzive: Bajrami, Hoti, Shala, Haziri e Zemaj nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të LDK-së

    112 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • “Kamera në maicë e dëgjuese në vesh”, dyshohet se merrnin ryshfet për kalimin e testit të patentë-shoferit, kërkohet paraburgim për tre persona

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Këta janë 18 deputetët e LDK-së në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës

    191 Shpërndaje
    Shpërndaje 76 Tweet 48

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë