Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë tha se është e shqetësuar për shkak të deklaratave që vijnë nga Mali i Zi lidhur me mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe lobimin aktiv për anëtarësimin e Prishtinës në organizata ndërkombëtare.
Një ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, deklaroi gjatë një interviste në RTV Mali i Zi se do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Mali i Zi do të japë mbështetje të qartë kur të ngrihet çështja nëse Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian apo e Këshillit të Evropës”, deklaroi Ibrahimoviq.
Edhe pse disa nga partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Ibrahimoviq u shpreh që beson se ky qëndrim nuk do ta rrezikojë koalicionin, duke pasur parasysh se Mali i Zi ka prioritete të qarta në politikën e jashtme.
Një nga këto prioritete janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, tha Ibrahimoviq.
“Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që kultivon marrëdhënie të mira fqinjësore. Prandaj, do ta mbështesim shtetin tonë mik, Kosovën, sepse është prioritet i politikës së jashtme që ajo të jetë anëtarja e radhës e Bashkimit Evropian dhe kjo nuk bie ndesh me qëndrimet tona”, u shpreh ai.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i vlerësoi deklaratat nga Mali i Zi si “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara, por edhe me marrëdhëniet e mira fqinjësore”.
Përmes një deklarate, MPJ-ja serbe u bëri thirrje fqinjëve, përfshirë Malin e Zi, që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të “përshkallëzojnë tensionet” dhe të punojnë për forcimin e besimit të ndërsjellë.
“Ne besojmë se është thelbësore të punohet për ruajtjen e marrëdhënieve pozitive, në vend që të mbështeten aktivitetet antiserbe, përçarjet e mëtejshme dhe konfliktet”, u tha në deklaratë.
Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila i humbi zgjedhjet në gusht të vitit 2020 ndaj Frontit Demokratik (DF) proserb dhe prorus, Demokratëve dhe Lëvizjes URA.
Njohja e pavarësisë së Kosovës shkaktoi protesta dhe përplasje në rrugë nga opozita e atëhershme, e përbërë nga parti proserbe të udhëhequra nga Fronti Demokratik, i cili tani është pjesë e shumicës qeverisëse në Mal të Zi.
Partitë e Frontit Demokratik, të cilat ndërkohë janë shpërbërë, mbajnë dy poste të zëvendëskryeministrave dhe tre ministri në qeveri. Udhëheqësi i tyre, Andrija Mandiq, i afërt politikisht me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, është në krye të Parlamentit të Malit të Zi.
Qëllimet e tyre në politikën e jashtme përfshijnë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tërheqjen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ata pretendojnë se Kosova është territor i pushtuar serb dhe e quajnë atë një “kuazi-shtet”.
Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.
Në Mal të Zi, partia në pushtet është Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Millojko Spajiq, së bashku me Demokratët, partitë e ish-Frontit Demokratik, Partinë Boshnjake dhe Forumin Shqiptar.