Pjetër Shala ka kërkuar nga Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë anulimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin u aprovua urdhri prej 208 mijë eurosh dëmshpërblim ndaj tetë viktimave.
Në kërkesën e parashtruar përmes mbrojtjes më 29 prill 2026 e cila u bë publike më 18 maj, Shala ka kërkuar që vendimi i Apelit të anulohet dhe të kthehet çështja para një paneli tjetër të gjyqtarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, në kërkesën e vet, mbrojtja thotë se Apeli gjatë marrjes së vendimit e interpretoi gabimisht ligjin, me arsyetimin se ka zbatuar të njëjtin standard që ka pasur për shqyrtimin e apelimeve të dënimeve penale me atë për dëmshpërblim.
Sipas kërkesës, kjo ka cenuar të drejtën e Shalës për qasje efektive në gjykatë.
Veç kësaj, thuhet se paneli i gjyqtarëve kanë bërë shkelje të procedurës duke cenuar të drejtën e Shalës për gjykim të drejtë. Kjo është thënë, duke argumentuar se procedurat për dëmshpërblim janë zhvilluar përpara se vendimi me burgim ndaj tij të marrë formën e prerë në Apel.
Mbrojtja në kërkesë thotë se kjo gjë ka shkelur të drejtën e Shalës për t’u prezumuar i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij.
Po ashtu, thuhet se sipas mbrojtjes së Shalës, gjatë marrjes së vendimit është kryer shkelje substanciale e procedurës pasi që nuk janë kërkuar të dhëna mbi shpenzimet mjekësore që ka pasur një viktimë (viktima W04733) gjatë përcaktimit për dëmin material që kanë pësuar viktimat e tërthorta.
Pra, mbrojtja pretendon se Paneli Gjykues gjatë përcaktimit të dëmshpërblimit ndaj viktimave, është mbështetur kryesisht në deklarata të viktimave dhe familjarëve të tyre. Sipas saj, Gjykata thjesht “supozoi” ekzistencën e kostove mjekësore pa prova të mjaftueshme.
Po ashtu, mbrojtja argumenton se Gjykata nuk ka sqaruar cilat probleme shëndetësore të W04733 lidhen drejtpërdrejt me ngjarjet në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe në çfarë mase ato ndikuan në gjendjen e tij shëndetësore apo aftësinë për të punuar.
Në përfundim, mbrojtja kërkon që Gjykata Supreme ta anulojë vendimin e Apelit për dëmshpërblimin dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim nga një panel tjetër, ose të marrë çdo masë tjetër që e konsideron të nevojshme për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe drejtësisë së procedurës.
Vendimi për dëmshpërblim ndaj Pjetër Shalës ishte marrë më 29 nëntor 2024 me ç’rast u urdhërua që të paguajë një shumë prej 208 mijë eurosh. Ky vendim ishte konfirmuar nga Apeli më 29 janar 2026.
Ndryshe, Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka shpallur më 14 korrik 2025 aktgjykim dënues ndaj Pjetër Shalës, duke e dënuar me 13 vjet burgim. Kjo Gjykatë, me këtë vendim ia uli dënimin Shalës, i cili nga shkalla e parë e Speciales ishte dënuar me 18 vjet burgim. Ndërsa, Gjykata Supreme, ka rrëzuar kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër vendimit të Apelit.
Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard- kryetare, dhe gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.
Gjykatësi Ambos i cili lexoi aktgjykimin, tha se Apeli miratoi pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, kurse rrëzoi apelin për aspektet e tjera.
“Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera. Lë në fuqi pjesën tjetër të verdiktit të fajësisë të zotit Shalën për krimin e luftës së ndalimit arbitrar në bazë të nenit 14 (1c) dhe neni 16 (1a) të Ligjit, sipas pikës 1 të aktakuzës- krimin e luftës të torturës dhe krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”, tha Ambos.
Gjykatësi tha se Apeli lë në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, kurse anuloi vendimi me 16 vjet burgim për pikën 3 të aktakuzës. Kjo Gjykatë, dënoi Shalën me 13 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës. Kurse, anuloi dënimin me 18 vjet burgim për po atë pikë akuzës dhe caktoi dënim me 13 vjet burgim.
Apeli anuloi dënimin unik me 18 vjet burgim të shpallur nga shkalla e parë dhe e dënoi Shalën me 13 vjet burgim, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.
Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nga ajo kohë, ai gjendet në paraburgim.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi












