Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër Qeverinë për menaxhimin e dobët të ekonomisë dhe mungesën e transparencës në përdorimin e buxhetit shtetëror.
Ai për “Expose” ka theksuar se politikat e ndjekura nga qeveria kanë ndikuar negativisht në stabilitetin ekonomik të vendit.
“Qeveria në këtë rast, me politikat që ka hartuar dhe ato që po i ndjek, ka bërë që ekonomia jonë të ekspozohet ndaj situatave të rënda, inflacionit dhe varësisë nga importi,” ka deklaruar Shala.
Ai ka theksuar se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deficiti tregtar është rritur ndjeshëm dhe ka një tendencë të vazhdueshme në rritje. Gjithashtu, sipas tij, inflacioni ka shënuar ngritje të theksuar, veçanërisht në produktet e konsumit të përditshëm.
“Nëse e marrim të njëjtën periudhë dhe e krahasojmë me vitin e kaluar, shihet një rritje e lartë e deficitit tregtar, me tendencë në rritje. Po ashtu, inflacioni ka shënuar një shkallë të theksuar të ngritjes, e cila vërehet sidomos te disa produkte të konsumit të përgjithshëm.”
Në deklaratën e tij, Shala ka ngritur shqetësime serioze për atë që ai e konsideron si përfshirje të gjerë të qeverisë në afera korruptive, që sipas tij përfshijnë më shumë se një sektor.
“Aferat korruptive që e kanë mbuluar këtë qeveri, përveç sektorit të energjisë që janë shumë të dukshme dhe me pasoja të mëdha, i kemi edhe në sektorë të tjerë – në Ministrinë e Bujqësisë, atë të Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës. Kemi një shkallë të lartë të ngritjes së aferave të dyshuara korruptive. Fatkeqësisht, buxheti po shpenzohet dhe projektet mungojnë. Buxheti i këtij viti po harxhohet pa asnjë llogaridhënie.”
Ai ka theksuar se përkundër buxhetit të konsiderueshëm që ka në dispozicion shteti këtë vit, nuk ka transparencë në lidhje me përdorimin e fondeve publike.
“Vetëm këtë vit kemi në dispozicion shtetëror 3.5 miliardë euro. Asnjë projekt nuk është realizuar, nuk dihet as ku janë shpenzuar këto mjete dhe nuk ka të dhëna reale për mënyrën e shfrytëzimit të tyre. Domosdoshmërisht, keqpërdorimet dhe aferat – koha do ta vërtetojë – janë shumë më të mëdha sesa ato që po shihen sot në opinion,” ka përfunduar Shala.