Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, u takua të enjten me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në margjinat e një takimi aziatik në Malajzi.
Kryediplomati amerikan iu tha gazetarëve pas takimit se homologut rus ia shprehu “zhgënjimin dhe frustrimin” për mungesën e progresit sa i përket zgjidhjes së luftës në Ukrainë, raporton gazeta “The Guardian”.
“Unë i dhashë jehonë asaj që e tha presidenti (amerikan, Donald Trump), edhe zhgënjimin, edhe frustrimin për mungesën e progresit” – tha Rubio, duke shtuar se diskutimi me Lavrovin ishte “një bisedë e sinqertë, e rëndësishme”.
Në anën tjetër, Rusia e përshkroi takimin si “shkëmbim substancial dhe të sinqertë të pikëpamjeve”.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi se Rubio gjithashtu shtoi se Lavrovi ndau “një ide të re” për Ukrainën, pa ofruar ndonjë hollësi për të.
“Nuk është një qasje e re. Është një ide e re ose një koncept i ri që unë do ta çoj te presidenti për ta diskutuar” – tha Rubio para gazetarëve, duke paralajmëruar se nuk bëhet fjalë për diçka që “automatikisht çon në paqe, por ajo potencialisht do të mund ta hapte derën drejt një rruge të re”.