Në një ndryshim të madh të politikës së jashtme amerikane, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka udhëzuar diplomatët amerikanë që të mos komentojnë më mbi drejtësinë apo integritetin e zgjedhjeve të zhvilluara nga vendet e tjera.
Ky vendim shënon një largim nga tradita e kahershme e Uashingtonit për të promovuar zgjedhje të lira dhe të ndershme nëpër botë.
Urdhri është dërguar përmes një kabllogrami të brendshëm të Departamentit të Shtetit më 17 korrik, duke njoftuar të gjitha ambasadat amerikane se “Departamenti nuk do të lëshojë më deklarata në lidhje me zgjedhjet ose postime në rrjetet sociale nga Uashingtoni, përveç nëse ka një interes ‘të qartë dhe bindës’ të politikës së jashtme”, raportoi Reuters.
Kabllogrami thekson se: “Kur është e përshtatshme të komentojmë mbi një zgjedhje të huaj, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i fokusuar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në shënimin e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme.”.
Diplomatëve u kërkohet të shmangin çdo koment mbi: “Drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë.”.
Për më tepër, deklaratat që lidhen me zgjedhjet do të lejohen vetëm nëse vijnë nga vetë Sekretari Rubio ose zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Diplomatët janë ndaluar të reagojnë në mënyrë të pavarur pa miratimin e udhëheqësisë së lartë të agjencisë.
Në kabllogram përmendet edhe një fjalim i mbajtur nga presidenti Donald Trump më 13 maj në Riad, ku ai kritikoi ndërhyrjet perëndimore në vendet e Lindjes së Mesme: “Ndërhyrës perëndimorë që u tregonin vendeve të Lindjes së Mesme se si të qeverisnin punët e tyre… kjo nuk është më punë e Uashingtonit.”.
Në vijim të këtij vizioni, direktiva përmbyllet me një theksim të ri të politikës së jashtme amerikane: “Ndërsa Shtetet e Bashkuara do t’i përmbahen vlerave të tyre demokratike dhe do t’i festojnë ato vlera kur vendet e tjera zgjedhin një rrugë të ngjashme, presidenti e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin partneritete me vendet kudo që përputhen interesat tona strategjike.”.