Sot është mbajtur Konferenca Vjetore e Prokurorëve të Shtetit, ku janë diskutuar çështje me rëndësi të funksionimit të sistemit prokurorial.
Fjalë në këtë ngjarje të rëndësishme të drejtësisë ka mbajtur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Sami Istrefi, nën drejtimin e të cilit administrata e këtij sistemi ka shënuar rezultate të larta, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Nën drejtimin e Istrefit administrata e Sistemit Prokurorial ka arritur një konsolidim të lartë në të gjitha fushat.
Këto suksese fillojnë nga infrastruktura bashkëkohore, pajisje moderne sigurie për prokurore e staf, dizajnimi i uebportalit të sistemit prokurorial, duke rritur dukshëm transparencën dhe përgjegjshmërinë.
Po ashtu janë filluar procedurat e digjitalizimi të arkivave e shumë punë tjera.
Më poshtë ju sjellim fjalën e plotë të drejtorit Istrefi:
Fjalimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Sami Istrefi, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve
I nderuar U.D. Kryeprokuror i Shtetit, z. Kelmendi,
I nderuar Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Hajdaraj,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera ligjzbatuese të Republikës së Kosovës,
Të nderuar partnerë ndërkombëtarë,
Zonja dhe zotërinj,
Kam nderin dhe privilegjin që, si Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, t’ju drejtohem në këtë Konferencë Vjetore të Prokurorëve, për të ndarë me ju rrugëtimin, sfidat, arritjet dhe vizionin tonë për konsolidimin e administratës së sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, si një administratë që është dhe do të mbetet në shërbim të plotë të nevojave të drejtësisë, në mënyrë që prokurorët e shtetit ta ushtrojnë sa më mirë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.
Ky takim i këtij niveli na ofron mundësinë që, përveç paraqitjes së bilancit të punëve të kryera, të rikonfirmojmë përkushtimin tonë për t’i çuar përpara proceset dhe reformat e nisura, të cilat, përveç që janë të nevojshme, janë edhe të domosdoshme, për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të kohës, si dhe pritjeve që qytetarët, me të drejtë, i kanë për sistemin e drejtësisë, respektivisht sistemin prokurorial.
Të vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe detyrat që bartim, kemi treguar angazhim dhe përkushtim të palëkundur në drejtim të zhvillimit institucional, duke filluar nga përmirësimi i infrastrukturës nënligjore, menaxhimi më efikas dhe racional i buxhetit, realizimi i investimeve kapitale, përmirësimi i kushteve të punës, digjitalizimi dhe modernizimi i shërbimeve, deri te menaxhimi i burimeve njerëzore, rekrutimi, zhvillimi dhe forcimi i integritetit të punonjësve të administratës.
Të gjitha këto janë rezultat i angazhimit të përbashkët që ka vetëm një synim – të ngrisim në një nivel më të lartë funksionimin e sistemit prokurorial të Kosovës, si një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës.
Kemi bërë përpjekje që të rrisim përgjegjshmërinë institucionale dhe të tregojmë disiplinë financiare, ku, përmes menaxhimit efikas dhe racional të buxhetit, planifikimeve të duhura strategjike dhe respektimit rigoroz të procedurave ligjore, janë realizuar projekte të rëndësishme të investimeve kapitale dhe janë plotësuar nevojat institucionale, ku buxheti i investimeve kapitale i ndarë për vitin 2025 për
Sistemin Prokurorial është shfrytëzuar në mënyrë efektive.
Duke vlerësuar se përmirësimi i kushteve të punës përmes ndërtimit të një infrastrukture bashkëkohore është domosdoshmëri për krijimin e ambienteve që shfaqin seriozitetin dhe autoritetin institucional, gjatë viteve 2024 dhe 2025 kemi filluar procesin e renovimit të objekteve të sistemit prokurorial, me qëllim që ndërtesat institucionale të shndërrohen në ambiente dinjitoze, ashtu siç e meritojnë institucionet e pavarura të drejtësisë.
Përfundimi i këtyre renovimeve pritet të realizohet deri në fund të këtij viti, me përjashtim të objektit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, renovimi i të cilit do të fillojë brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Kur jemi te investimet, dua të theksoj se Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë bërë marrëveshje për ndërrimin e pronës, në të cilën do të ndërtohen objektet e reja të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, ku tani jemi në fazën e përzgjedhjes së kompanisë për hartimin e këtyre projekteve.
Derisa të arrijmë t’i finalizojmë objektet e reja, më lejoni t’ju njoftoj se është nënshkruar dhe aprovuar marrëveshja e përbashkët ndërmjet KPK-së, KGJK-së dhe MPB-së për administrimin dhe mirëmbajtjen e Pallatit të Drejtësisë. Ne veçse kemi filluar t’i bëjmë planifikimet e duhura për projektet që duhet të vihen në funksion dhe, me të gjitha kapacitetet tona, do të bëjmë përpjekje maksimale për krijimin e kushteve të punës për prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të Prokurorisë së Apelit, edhe përkundër sfidave që paraqiten për shkak të mungesës së mirëkuptimit të Qeverisë për kërkesat tona buxhetore.
Për të garantuar sigurinë e prokurorëve dhe të stafit mbështetës, në objektet e sistemit prokurorial janë instaluar pajisje moderne sigurie, është rritur prezenca e policisë dhe janë angazhuar kompani private sigurie, duke krijuar kështu ambiente të sigurta pune.
Në anën tjetër, është dizajnuar dhe funksionalizuar uebportali i ri i sistemit prokurorial – një platformë e rëndësishme që synon rritjen e transparencës dhe qasjes së publikut në informacionet institucionale. Në këtë portal, në kohë reale publikohen të gjitha informatat relevante lidhur me punën e Prokurorit të Shtetit, Këshillit Prokurorial dhe Sekretariatit.
Ky zhvillim i uebportalit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit të komunikimit institucional, duke e bërë sistemin prokurorial më transparent, më të përgjegjshëm dhe më të qasshëm për qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile.
Forcimi i transparencës institucionale ka qenë një nga objektivat kryesore të Sekretariatit të KPK-së gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Bashkëpunimi me mediat dhe shoqërinë civile është rritur ndjeshëm, ku gjatë vitit 2024 janë kthyer 3332 përgjigje në kërkesat e mediave për informata të përgjithshme, kurse në vitin në periudhën janar tetor 2025 janë kthyer 2740 përgjigje në kërkesat e mediave për informata të përgjithshme.
Sa u përket rasteve të kërkesave për qasje në dokumente publike të sistemit prokurorial është ofruar qasje në dokumente zyrtare, si vijon:
– Në vitin 2024 janë aprovuar 151 kërkesa, 6 janë aprovuar pjesërisht dhe 30 janë refuzuara, si dhe janë lëshuar 24 vendime përkatëse.
– Në vitin 2025 janë aprovuar 85 kërkesa, 10 janë aprovuar pjesërisht dhe 7 janë refuzuara, si dhe janë lëshuar 49 vendime përkatëse.
Kemi nisur edhe procedurat për digjitalizimin e arkivave në sistemin prokurorial, ku në këtë drejtim Këshilli ka marrë vendim për nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët me Këshillin Gjyqësor dhe Policinë e Kosovës për shkëmbimin e provave digjitale, duke i hequr nga përdorimi pajisjet teknike si “external”-et apo “USB”-të, pasi të njëjtat nuk përmbushin standardet e sigurisë për ruajtjen dhe mbrojtjen e provave dhe dokumenteve të tjera që i shërbejnë procedurës penale.
Gjithashtu, kemi njoftuar Odën e Avokatëve se jemi të gatshëm t’i shkëmbejmë provat përmes sistemit SMIL, kur ato janë të qasshme për ta. Megjithatë, nga përgjigjet që kemi marrë prej tyre, rezulton se ata ende nuk kanë mjetet e nevojshme për krijimin e një sistemi elektronik.
Ne mbesim të përkushtuar që ta vëmë në zbatim këtë nismë sapo Oda të jetë gati.
Vlen të theksohet se gjatë viteve 2024 dhe 2025 kemi ndërmarrë disa nisma shumë të rëndësishme për përmirësimin e statusit ekonomik të punonjësve të sistemit prokurorial, përfshirë edhe mbrojtësit e viktimave, duke siguruar kështu që çdo punonjës i sistemit të ketë pagë dinjitoze. Krahas kësaj, është bërë sistematizimi i vendeve të punës dhe janë rekrutuar zyrtarë të rinj, ku vetëm gjatë viteve 2024 dhe 2025 janë pranuar në punë 163 zyrtarë në të gjitha nivelet.
Gjatë proceseve të rekrutimit kemi synuar të zhvillojmë procedura të drejta dhe në përputhje të plotë me parimet e meritokracisë, në mënyrë që të zgjedhim njerëzit më të kualifikuar dhe kompetentë për pozitat përkatëse. Gjithashtu, punonjësit e administratës gjatë viteve 2024 dhe 2025 kanë marrë pjesë në 48 trajnime, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në avancimin e njohurive dhe aftësive të tyre profesionale.
Qëllimi kryesor është të kemi një administratë sa më profesionale, të përbërë nga individë të kualifikuar dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrave zyrtare. Njëkohësisht, jemi angazhuar për rritjen e llogaridhënies përmes forcimit të integritetit, sjelljes dhe etikës profesionale të të gjithë punonjësve të administratës.
Sa i përket bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, ne, me seriozitetin më të madh, kemi marrë përsipër kryerjen e obligimeve tona, duke dëshmuar kështu se jemi partnerë të besueshëm dhe kredibilë për miqtë dhe donatorët ndërkombëtarë, me të cilët bashkëpunojmë ngushtë në projektet dhe çështjet me interes të përbashkët.
Të nderuar të pranishëm,
Pavarësisht sfidave të ndryshme, veçanërisht atyre që lidhen me mungesën e aprovimit të kërkesave buxhetore nga ana e Ekzekutivit, progresi i arritur na jep forcë dhe motiv për të vazhduar me vendosmëri drejt realizimit të objektivave dhe planeve tona për konsolidimin e sistemit prokurorial.
Në këtë rrugëtim, administrata e sistemit prokurorial do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë prokurorëve të shtetit në realizimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore në mënyrë efikase dhe profesionale.
Ju faleminderit për vëmendje!
Prishtinë, 1 nëntor 2025!














