Shërbimi Korrektues i Kosovës ka dalur me një komunikatë për media lidhur me arratisjen e Faton Hajrizit.
Në një komunikatë, ata kanë bërë të ditur se Hajrizi ishte arratisur edhe në të kaluarën. Megjithatë, kanë theksuar se kohëve të fundit ai kishte pasur sjellje të mira.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak”, thuhet në komunikatë.Sipas SHKK-së, ai gjatë qëndrimit në Dubravë e ka përfunduar edhe shkollimin.“Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative.
Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues”, thuhet më tutje.Ata kanë bërë të ditur se Hajrizit ishte vet që kërkoi transferimin në burgun e Smrekonicës.“I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”, thuhet në reagim.
“Sipas rregullores për trajtimin e të burgosurve, të dënuarit mund të vendosen në një institucion të tipit të hapur nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme: Janë shfrytëzues të benificioneve; Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim; Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite”, bëhet e ditur nga SHKK.Ata kanë bërë të ditur se Hajrizi ka pasur edhe 7 vjet e 6 muaj dënim për të mbajtur.“I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024”, thuhet në komunikatën për media.
“Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale”, specifikohet aty.Dy zyrtarë janë pezulluar pasi nuk e kishin vërejtur me kohë largimin e të dënuarit.“Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave. Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat”, përfundon reagimi.