Organizatat Integra dhe Admovere kanë shprehur shqetësim për reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke kërkuar falje për situatën e krijuar.
“U kërkojmë falje të sinqertë […] familjarëve të viktimave civile […] dhe opinionit të gjerë publik”, thuhet në reagim, duke theksuar se qëllimi ka qenë nderimi i viktimave dhe ruajtja e kujtesës kolektive.
Organizatorët insistojnë se ekspozita nuk kishte për qëllim të lëndojë apo ofendojë askënd.
Ata gjithashtu bëjnë thirrje për ndaljen e sulmeve dhe kërcënimeve, duke theksuar se “diskutimi i hapur […] është mënyra e vetme” për trajtimin e çështjeve të ndjeshme.
Reagimi i Integra dhe Admovere, që është shpërndarë edhe nga Shkezen Gashi:
Reagim publik
Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.
Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd.
Me respekt,
Integra dhe Admovere














