Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetar komune, të raundit të dytë, të mbajtura më 9 nëntor.
Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tregoi me rend se kush-ku fitoi, sipas renditjes së komunave që shkuan në balotazh, transmeton Klankosova.tv.
Radoniqi po ashtu bëri të ditur se ankesat lidhur me shpalljen e këtyre rezultateve, mund të bëhen gjatë 48-orëve, duke filluar nga sot në ora 16:00.
Megjithatë, gjatë mbledhjes, Arianti Elshani, anëtari i PDK-së në KQZ, shprehu shqetësimin e tij lidhur me procesin zgjedhor në Mitrovicë të Jugut.
Por, i njëjti tha se pavarësisht ankesave, PDK i bindet vendimeve të organeve të rendit dhe do të votojnë ‘për’ shpalljes së rezultateve përfundimtare.
Ankesë pati edhe Sami Kurteshi, anëtar i VV-së në KQZ, për komunën e Kllokotit, dhe votoi kundër shpalljes së rezultateve përfundimtare në këtë komunë.
Me Kurteshi, u pajtua edhe kolegu i tij, Alban Krasniqi, anëtar i VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Po në këtë mbledhje, pak më parë u certifikuan edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendet Komunale.














