Në konferencën e organizuar nga “Hamilton House Kosovë” në Prishtinë, çmimi “Mësimdhënësja e Vitit 2025–2026” në kategorinë e mësimdhënësve të Gjuhës Angleze për komunën e Mitrovicës iu nda profesoreshës së gjuhës angleze nga shkolla SHFMU “Eqrem Çabej”, Shpresa Latifi Shala.
Me numrin më të lartë të votave në Mitrovicë dhe ndër më të votuarat në Kosovë, ky vlerësim përfaqëson rezultat të një pune të palodhshme, përkushtimit, seriozitetit dhe dashurisë së vazhdueshme për arsimin.
Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale e Shpresa Latifi Shala, por edhe një motivim për të vazhduar rrugëtimin me edhe më shumë pasion, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj nxënësve dhe edukimit cilësor.
“Falënderim i sinqertë për kolegët e gjuhës angleze që besuan në vizionin dhe punën time, duke qenë mbështetje e vazhdueshme në këtë rrugëtim profesional. Ky vlerësim mbetet një inspirim për të vazhduar të kontribuoj me përkushtim, integritet dhe pasion në edukim”, ka thënë Shpresa Latifi Shala.















