Në zgjedhjet lokale që u zhvilluan të dielën në Maqedoninë e Veriut ,sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, shqiptarët kryesojnë në 16 komuna.
Që në raundin e parë koalicioni VLEN ka fituar në 5 komuna dhe kjo në Çair-Izet Mexhiti, në Haraçinë -Daut Beqiri, në Saraj-Muhamet Elmazi, në Tearcë-Daut Memishi dhe në Zhelinë-Blerim Sejdiu.
Ndërsa, AKI-ja fitoi në katër komuna: Valbon Limani (Gostivar), Erkan Arifi (Likovë), Alija Jaoski (Plasnicë) dhe Suat Shaqirov (Çashkë),
“Koalicioni i kryesuar nga partia politike BMRO-DPMNE kryeson në 53 konuna, koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja në 8 komuna, koalicioni VLEN në 9 konuna, koalicioni AKI në 5 komuna, partia e turqve në 1 komunë, Unioni i Romëve në 1 komunë, në Strugë kryeson kandidati i pavarur Memdy Qyra dhe në Studeniçan Azem Sadiku”, ka thënë Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së së Maqedonisë së Veriut
Koalicioni VLEN ka falënderuar secilin qytetar që ka votuar për fitoren e tyre në bllokun shqiptar.
“Të nderuar aktivist të VLEN-it nga Likova deri në Strugë. Më lejoni secilin ta përshëndes një nga një. Ju keni qenë ushtria e pathyeshme e fitores së madhe të 19 tetorit që ne kemi bërë një fitore spektakulare”, ka thënë Adnan Azizi, nga koalicioni VLEN.
Ndërkaq,nga Aleanca Kombëtare për Integrim presin mbështetje më të madhe për kandidatët e tyre në balotazhin e zgjedhjeve, që do zhvillohet, më 2 nëntor.
“Nga balotazhi presim që qytetarët në mënyrë më masive të mbështesin kandidatët e Aleancës Kombëtare për Integrim. Në shumicën e komunave jemi në epërsi qoftë duke pasur kundër kandidatët e VMRO-s qoftë kandidatët e pavarur”, ka thënë Arbër Ademi, nga koalicioni AKI.
Në 31 komuna, përfshirë edhe Shkupin, kryetarët e ri të komunave do të zgjidhen në rrethin e dytë zgjedhor./RTK/