Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi sot se Presidenti Donald Trump ka “përjashtuar përfundimisht” dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e ndonjë garancie sigurie për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, por nuk përjashtoi opsione të tjera ushtarake, përfshirë ato ajrore.
“Është një opsion dhe një mundësi. Nuk do të përjashtoj aspak ndonjë gjë sa i përket opsioneve ushtarake që presidenti ka në dispozicion. Do ta lë atë të vendosë. Mund t’ju them se ai ka përjashtuar përfundimisht dërgimin e trupave në terren.”, tha Leavitt gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet rreth mundësisë që SHBA-ja të ofrojë opsione “ajrore” si formë garancie sigurie për Ukrainën, njofton CNN, transmeton Sinjali.
Vetë Trump deklaroi më herët sot se mund të sigurojë personalisht se nuk do të vendosë trupa amerikane në terren në Ukrainë për të zbatuar një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Leavitt gjithashtu tha se Trump ka udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare të koordinohet me Evropën dhe të vazhdojë të diskutojë këtë çështje me Ukrainën dhe Rusinë.
“Ne mund të ndihmojmë padyshim në koordinim dhe ndoshta të ofrojmë mjete të tjera garancie sigurie për aleatët tanë evropianë,” tha Leavitt. “Presidenti e kupton se garancitë e sigurisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të siguruar një paqe të qëndrueshme, dhe ai ka udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare të koordinohet me miqtë tanë në Evropë dhe gjithashtu të vazhdojë të bashkëpunojë dhe të diskutojë këto çështje me Ukrainën dhe Rusinë.”