Jo vetëm grante, por ky biznes të cilin Kurti dhe Hajdari e vizituan muajin e kaluar, më 4 shkurt 2025 kishte lidhur kontratë me shtetin e Kosovës, përkatësisht Autoritetin Qendror të Prokurimit Publik për shfrytëzimin me qira të 80 veturave të markës “Peugeot” në vlerë prej rreth 2 milionë €, përderisa kontrata ka afat vlefshmërie 5-vjeçare.
Bazuar në kontratën e siguruar nga Front Online mes AQP-së dhe “Mercom Auto”, për një veturë me qira, të cilën zyrtarët shtetëror do ta shfrytëzojnë gjatë periudhës kontraktuese 60 mujore, buxhetit të vendit do t’i kushtojë 24 mijë euro, apo më shtrenjtë se çmimi i blerjes së një veture të re, përderisa për 80 vetura të tilla do t’i paguhen kompanisë që e vizitoi kryeministri Kurti nga arka e shtetit hiç më pak se 1.920.000 €.
Kjo vlerësohet si njëra nga kontratat skandaloze mes shtetit dhe kompanisë “Mercom”, pasi që kjo e fundit në fund të vitit 2024 e ka nënshkruar një kontratë tjetër në vlerë prej rreth 1.3 milionë euro me AQP-në për furnizim me vetura të reja, ku për një veturë të re të modelit “Peugeot 308” i janë paguar mbi 22 mijë euro, derisa për ta shfrytëzuar një veturë me qira brenda periudhës 5-vjeçare do t’i paguhen 24 mijë euro të njejtës kompani.
Zyra e Kurtit paguan 550 € për një veturë me qira, AQP-ja i paguan 400 €
Për më keq, vet zyra e kryeministrit të Kosovës ka lidhur kontratë direkte me kompaninë “Mercom” në vlerë prej 99 mijë euro më 17 dhjetor të vitit 2024.
Kjo kontratë për marrjen me qira të veturave, sipas dokumenteve që i posedon FrontOnline, përpos që ka çmim më të lartë se kontrata me AQP-në, është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik, përkatësisht nenin 95 të tij.
Ky nen përcakton qartë se një autoritet kontraktues mund të caktojë AQP-në për kryerjen e një aktiviteti prokurimi në emër të tij.
Autoriteti kontraktues gjithashtu mund të kërkojë nga AQP të ndihmojë atë për kryerjen e aktivitetit të prokurimit që kryhet nga ky autoritet kontraktues. Por, duke e anashkaluar AQP-në, zyra e kryeministrit Kurti i ka paguar kompanisë “Mercom” rreth 550 euro qira mujore për një veturë, përderisa një kosto e tillë do t’i paguhet për 15 vetura.
“Zyra e kryeministrit Kurti përpos që e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, do t’i paguaj 550 euro në muaj, ndërsa me kontratën e AQP-së qiraja mujore e një veture është 400 euro”, thotë një burim i FrontOnline brenda Ministrisë së Financave .
“Mercom” në fund të vitit të kaluar i shiti shtetit 58 vetura të reja për rreth 1.3 milionë euro
Kompania e subvencionuar nga Qeveria “Kurti” në nëntor të vitit 2024 kishte nënshkruar kontratë me Autoritetin Qendror të Prokurimit (AQP) për furnizim me 58 vetura nga modeli “Peugeot 308”, ku vlera e përgjithshme e tyre arrinë në rreth 1.3 milionë euro, apo mbi 22 mijë euro për një veturë të tillë.
Nga kompania që e vizitoi Kurti gjatë muajit prill 2025 kanë refuzuar të japin detaje rreth këtij procesi të prokurimit. Sipas tyre, tenderi ka qenë në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik.
“Tenderi me numër 2016-24-12248-2-1-1 ka qenë tender publik, i shpallur në platformën eProkurimi, ku ne kemi marrë pjesë me ofertën tonë, duke respektuar të gjitha rregullat ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës. Pasi qe tenderi është publik, te gjitha te dhënat tjera ne lidhje me ketë aktivitet te prokurimit i gjeni ne ueb faqet zyrtare te prokurimit publik.”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për FrontOnline.