Intervistimi i kryetarit të Listës Serbe dhe njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Zlatan Elek, i cili ishte paraparë të mbahej më 18 qershor, është shtyrë për një datë tjetër.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Arbnora Luta, e cila ka bërë të ditur se intervistimi është shtyrë “për arsye shëndetësore të avokatit të Elekut”.
Elek është ftuar nga Prokuroria në kuadër të hetimeve që lidhen me vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës në fund të vitit 2022. Ai po hetohet për veprat penale: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Thirrje për rezistencë” dhe “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria ka lëshuar ftesa për intervistim edhe për zyrtarë të tjerë të Listës Serbe, përfshirë deputetin Igor Simiq dhe bashkëpunëtorë të tjerë.