Disa orë para se të votohej Qeveria Kurti 3, Ministria e Infrastrukturës ka dhënë tetë kontrata milionëshe për mirëmbajtje të rrugëve nacionale dhe rajonale nga tenderi 35 milionësh. Lotet tjera kanë përfunduar në OSHP. Në mesin e përfituesve janë edhe kompanitë e familjes Shabani, me të cilat ish-Ministrin Hysen Durmishi, e lidh dostllëku. Kompanitë e kësaj familje janë rekomanduar për kontratë edhe për tenderin 16 milionësh për autostradat, për të cilin janë ngritur dyshime për konflikt interesi, favorizim e caktim të fituesve paraprakisht.
Në orët e fundit si ushtrues detyre i Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka ndarë rreth 19 milionë euro për mirëmbajtje të rrugëve.
Më 10 shkurt 2026, tetë kompani/ grupe të operatorëve ekonomik janë shpërblyer me kontrata milionëshe për mirëmbajtje verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale, për tri vitet e ardhshme. Një ditë më pas, në Kuvendin e Kosovës u votua Qeveria Kurti 3, ku drejtimi i kësaj Ministrie për katër vitet e ardhshme iu besua Dimal Bashës.
Shtatë lotë tjera kanë përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesave të dorëzuara. Për këtë tender me vlerë të parashikuar prej 35 milionë e 500 mijë euro, janë dorëzuar mbi 90 oferta.
Kontratat e dhëna janë për këto lote: Ferizaj 1: Grup i Operatorëve Ekonomik VIA; EUROTITAN SH.P.K.; A.L-ASFALT shpk – vlera e parashikuar 2,400,000.00 €; Gjakova 1: Lika Trade” Sh.p.k – vlera e parashikuar 2,340,000.00 €; Gjilan 1: Grup i Operatorëve Ekonomik EL-BAU SH.P.K.; EING COM SH.P.K – vlera e parashikuar 2,380,000.00 €; Gjilan 2: Grup i Operatorëve Ekonomik Dio Bes SH.P.K.; EUROKOS HOLDING SH.P.K.; Zahiri SH.P.K.; AVAG GROUP SH.P.K – 2,160,000.00 €; Mitrovica 1: Arbotec SH.P.K – 2,880,000.00 €; Mitrovica 2: Grup i Operatorëve Ekonomik NNT ABC SH.P.K.; B CORP SH.P.K – 2,510,000.00 €; Peja 2: Granit SH.P.K – 2,050,000.00 €; Prizren 1: Grup i Operatorëve Ekonomik Famis CO – HC SH.A.; NexBuild Co L.L.C – 2,290,000.00€.
Njoftimi për nënshkrimin e tyre nuk është publikuar ende në e-Prokurim.

Në OSHP ndërkohë kanë përfunduar të tri lotet për mirëmbajtjen e rrugëve të Prishtinës, dhe nga njëri lot për Prizrenin, Prishtinën, Ferizajn, Pejën dhe Gjakovën.
Në tenderin e MI’së, kontrata kanë fituar edhe kompanitë e familjes Shabani – Bageri SH.P.K dhe Dio Bes SH.P.K, të lidhura me ish-ministrin Hysen Durmishi.
“Dio Bes SH.P.K” i është dhënë kontrata me vlerë të parashikuar 2 milionë e 160 mijë euro për Lot 6, teksa “Bageri SH.P.K” është rekomanduar për kontratë për Lot 13, me vlerë të parashikuar 2 milionë e 370 mijë euro, një prej loteve në OSHP.
Këto dy kompani janë rekomanduar për kontrata edhe në tenderin tjetër 16 milionësh të MI’së për mirëmbajtje të autostradave, poashtu për tri vitet e ardhshme.
Reporteri.net i ka dërguar pyetje Durmishit nëse ka ushtruar ndikim që këtyre kompanive t’u jepen kontrata dhe nëse kjo përbën konfikt interesi, mirëpo i njëjti nuk u është përgjigjur pyetjeve.
As Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur për këtë çështje, pavarësisht se pyetjet i janë ridërguar disa herë.

Dostllëk mbi 20 vjet – cila është lidhja e Durmishit me familjen Shabani?
Kompania “Bageri SH.P.K”, është e njohur për përfitim të kontratave nga Ministria e Infrastrukturës.
Deri në fund të vitit të kaluar, kjo kompani ishte e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në emër të Bujar Shabanit, ndërsa tash figuron në emër të djalit të tij, Leutrim Shabanit.
Vetë Durmishi ka deklaruar se me Bujarin ndan një shoqëri mbi 20-vjeçare. Madje, e kishte konfirmuar se të njëjtin edhe e kishte këshilluar për punën e tij. Kishte mohuar se ka punuar ndonjëherë në kompaninë e tij.
“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë”, kishte deklaruar Durmishi.
Durmishi kishte përfunduar edhe në Prokurori, pikërisht për një kontratë që e kishte nënshkruar me këtë kompani për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, saktësisht LOT 2.
Ai kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Prokuroria Speciale e kishte ftuar të njëjtin për intervistim në maj të vitit 2024, në cilësinë e të pandehurit.
Ai e kishte mohuar se ka pasur ndikim që kontratën ta fitojë kompania e shokut të tij.
“Asnjë ndikim nuk e kam pasur asnëjherë dhe nuk do ta kem kurrë për asnjë kompani, e as për kompaninë ‘Bageri’. Në plot tendera ka marrë pjesë kompania ‘Bageri’ dhe nuk ka fitu. Mirëpo, që unë kam deklaru publikisht që e njoh pronarin, qysh i njoh shumicën e kompanive në Kosovë”, kishte deklaruar Durmishi në korrik të vitit 2023.
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar me 15 mijë euro gjobë Bujar Shabanin, për “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Dy muaj më pas, më 15 janar të vitit 2025, i njëjti e ka shuar si biznes idividual kompaninë “N.P.SH.”Bageri”. Po atë ditë, ishte regjistuar biznesi i ri “Bageri SH.P.K.”, si shoqëri aksionare me 100% të kapitalit të regjistuar në emër të djalit të tij, Leutrim Shabanit.
Kompania tjetër “Dio Bes” SH.P.K figuron në emër të Xhelal Shabanit, që sipas raportimeve është vëllai i Bujarit.
Ankesa për “Bagerin” në OSHP: “Vuri në lajthitje ministrinë – prezantoi të dhëna të rrejshme”
Një prej ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, është për Lot 13, për të cilin është rekomanduar kompania “Bageri”.
Në ankesën e “DAMASTION PROJECT” SH.P.K, pretendohet se kjo kompani ka vënë në lajthitje Ministrinë dhe se ka prezantuar të dhëna të rrejshme, duke kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim.
“Oferta e rekomanduar për kontratë e OE “BAGERI” SH.P.K. për Lot 13 – Prishtina 3, është ofertë me “centa” nëpër pozicione të paramasës duke e vënë në lajthitje AK me çmim më të ulët përballë ofertuesve tjerë”, thuhet në ankesë.

Aty pretendohet edhe se “Bageri” SH.P.K. ka paraqitur të dhëna të rrejshme në Referencën e lëshuar për Menaxherin e Projektit, Shefqet Uruqi, dhe se do të duhej eliminuar.
“Në procesverbalin e bashkangjitur të Pranimit Teknik, në faqen nr.4, pika 2.3, komisioni për pranim teknik ka konstatuar se Menaxher i këtij Projekti nga kontraktori ka qenë i angazhuar z.Fatbardh Jakupi dhe JO z.Shefqet Uruqi për të cilin është lëshuar Referencë me të dhëna të rrejshme nga punëdhënësi NPSH “Bageri””, thuhet në ankesë.

Tutje në ankesë thuhet se kjo kompani nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe specifikimet teknike të detyrueshme, si dhe se plani i shpërndarjes së kripës mungon në tërësi.
“OE fitues “Bageri” SH.P.K. nuk i ka përfshi në plan të intervenimit 259.52km, totalin e rrugëve efektive të regjionit Prishtina 3, siç është përcaktuar në kriter të DT: “Koha e llogaritur nga baza e mirëmbajtjes që është paraqitur për Lot, për secilën rrugë të regjionit”, thuhet në dokument.
Të gjitha këto pretendime, eksperti shqyrtues Ilir Halili, i ka vlerësuar si të pabazuara, duke rekomanduar që të mbetet në fuqi vendimi i Ministrisë.
“…eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues refuzohet si e pabazuar dhe të mbetet në fuqi vendimi i AK”, thuhet në ekspertizën e dorëzuar më 25 shkurt.

Ky tender në vlerë rreth 16 milionë euro, ka përfunduar poashtu në OSHP, mes dyshimeve për konflikt interesi, favorizime dhe caktim të fituesve paraprakisht.
OSHP ende s’ka dalë me vendim, ndërkohë që eksperti shqyrtues ka rekomanduar që një prej loteve të kthehet në rivlerësim./Reporteri.net












