Siria këtë javë e bëri transferin e parë ndërkombëtar përmes sistemit ndërkombëtar të pagesave, SWIFT, që nga shpërthimi i luftës civile 14-vjeçare, tha të enjten guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë, Abdelkader Husriyeh.
Ky veprim konsiderohet hap i rëndësishëm në përpjekjet e Sirisë për riintegrimin e vendit në sistemin financiar global, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Guvernatori i Bankës Qendrore i tha agjencisë “Reuters” në Damask se një transaksion i drejtpërdrejtë tregtar u krye nga një bankë siriane drejt një banke italiane të dielën.
“Dera tani është e hapur për më shumë transaksione të tilla” – shtoi ai.
Guvernatori Husriyeh të mërkurën mbajti një konferencë virtuale ku morën pjesë bankat siriane, disa banka amerikane e disa zyrtarë nga ShBA-ja, përfshirë emisarin amerikan për Sirinë, Thomas Barrack, me qëllim të përshpejtimit të rilidhjes së sistemit bankar të Sirisë në sistemin financiar global.
Ky zhvillim erdhi pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar se të gjitha sanksionet ndaj Sirisë do të hiqeshin. Kjo është pasuar me urdhra ekzekutivë me të cilët formalisht janë hequr disa sanksione.