Një rast tronditës që vë në alarm gjithë opinionin publik dhe sistemin arsimor ka ndodhur në shkollën private ISP, në lagjen Marigona të fshatit Preoc – vend ku prindërit presin siguri dhe arsim cilësor për fëmijët e tyre.
Burime të Sinjalit brenda sistemit të drejtësisë kanë bërë të ditur se më 30 maj 2025, rreth orës 10:00, një mësuese e klasës së parë, me inicialet N.S., dyshohet se ka kryer një akt të rëndë dhe të paprecedentë – ajo ka incizuar me telefon privat nxënësin e saj 6-vjeçar, duke e detyruar që të bëjë veprime të pahijshme ndaj vetes, konkretisht duke e shtyrë të prekë organin gjenital.
Në vend që këtë akt ta denonconte apo të kërkonte ndihmë, ajo e ka dërguar videon tek nëna e fëmijës, e cila e tmerruar nga ajo që ka parë, së bashku me bashkëshortin, është paraqitur urgjentisht në stacionin policor.
Pas konsultimeve të menjëhershme me prokuroren kujdestare, është hapur fillimisht një shënim zyrtar. Pasi janë intervistuar palët, më datë 9 qershor 2025 është marrë vendim zyrtar që ndaj mësueses të hapet rast penal për veprën penale “Degradimi i integritetit seksual”.
E dyshuara, ndonëse përballet me një akuzë kaq të rëndë dhe skandaloze, është liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali ka mësuar se në këtë rast janë të përfshira edhe njësitë e hetimeve për të mitur, ndërsa procedura penale është në zhvillim.
Ky rast ngre alarmin e plotë për sigurinë e fëmijëve në institucionet arsimore dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve më të larta për drejtësi dhe mbrojtje të fëmijëve.