Në Kosovë, ndërhyrjet estetike si Botox dhe fillerët po përhapen me shpejtësi, por një pjesë e madhe e tyre ofrohet jashtë ligjit dhe pa mbikëqyrje profesionale. Përveç aspektit ligjor, rreziku qëndron te pasojat shëndetësore nga aplikimi joprofesional: infeksione, deformime, reaksione alergjike dhe dëmtime serioze. Mungesa e kontrollit dhe e standardeve rrit dyshimet për sigurinë e këtyre shërbimeve dhe efektivitetin e mbikëqyrjes institucionale.
Për të ofruar një institucion privat (klinikë apo qendër estetike) shërbime shëndetësore të aplikimit (injektimit) të botox-it dhe fillerëve, duhet të jetë i lajmëruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në kuadër të hulumtimit për subjektet private që aplikojnë ofrimin e shërbimeve të botox-it dhe fillerëve pa licencë, Veriu.info ka siguruar dëshmi se qendra (subjekti) ‘Quin with Rina Zaiti’ po i ofron këto shërbime pa licencë, duke funksionuar për këto shërbime në mënyrë plotësisht të kundërligjshme.
Veriu.info mëson se pronare e këtij subjekti është Albana Merlaku, bashkëshortja e afaristit Rasim Merlaku – pronar i lagjjes luksoze ‘Marigona Residence’.





Në një përgjigje për Veriu.info, zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë ka konfirmuar se ky subjekt nuk ka licencë për shërbime shëndetësore.
“Ju informoj së në modulin e Licencimit nuk ka Institucion shëndetësor të licencuar me emrin “Quin with Rina Zaiti”, me themelues Albana Merlaku”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Veriu.info.
Në postimet e bëra në Instagram nga faqja ‘Quin with Rina Zaiti’, shihet se aty injekton (aplikon) fillerë edhe siriani me shtetësi turke Muhammed Osman, për të cilin në Veriu.info kishin ardhur raportime se nuk është profesionist mjekësor e as nuk ka licencë pune për shërbime shëndetësore në Kosovë.

Përmes stafit të redaksisë, Veriu.info ka improvizuar një rast të bërjes së terminit për injektimin e fillerëve dhe botox-it te Muhammed Osman, që në rrjete sociale vepron me nofkën Dr. Face Architect, dhe i njëjti ka caktuar termin për të nesërmen për filler. I njëjti kur është pyetur se a bën botox në ballë, ka thënë ‘po patjetër’.
Dr. Face Architect në këtë bisedë të stafin e Veriu.info, të paraqitur në rolin e pacientit, ka thënë se fillerin dhe botox-in i aplikon në ‘Quin with Rina Zaiti’, subjekt në të cilin edhe e ka caktuar terminin.


Sot, nga Ministria e Shëndetësisë për Veriu.info ka konfimuar se i njëjti as nuk ka aplikuar për licencim.
“Ju njoftojmë se, Zyra për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj nuk ka pranuar asnjë kërkesë për licencim e z. Muhammed Osman me numër të pasaportës të Turqisë: 7….. (U2……), i cili punon dhe aplikon filler në ‘Quin with Rina Zaiti’, dhe për të njëjtin nuk a ka lëshuar leje pune.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Veriu.info.
Këto përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë kanë ardhur sot, pas dëshmive që Veriu.info ka dërguar bashkëngjitur pyetjeve për këtë rast. Mirëpo, nga MSh nuk kanë treguar se a kanë autorizuar inspektim në ‘Quin with Rina Zaiti’ që gjendet në ‘Çarshia – Marigona Residence’, duke qenë se kryen shërbime mjekësore pa licence dhe ka si staf të huaj shtetasin turk Muhammed Osman, i cili nuk as nuk ka leje pune për shërbime shëndetësore e as nuk ka aplikuar për një të tillë.
Por si duket në realitetin kosovar kur je familjar i njërit prej biznesmenëve më të fuqishëm, i ka edhe përparësitë e veta!
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga ‘Quin with Rina Zaiti’ me pronare Albana Merlaku për çështjet e ngritura, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje në pyetjet e dërguara.
Por ashtu Veriu.info ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Muhammed Osman (Dr. Face Architect) se a ka leje për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë, cili është profesioni i tij dhe a ka titull të profesionistit mjekësor, si dhe a ka leje qendrimi në Kosovë nga Ministria e Punëve të Brendshme, por i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara përmes mesazhit në telefon.
Veriu.info ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme se a ka leje qendrimi në Kosovë, siriani me shtetësi turke Muhammed Osman (Dr. Face Architect), por që nuk kemi marrë përgjigje.



Çka është mbushja me acid hialuronik (filler)?
“Mbushja me acid hialuronik” është një procedurë estetike (jo kirurgjikale), ku në lëkurë injektohet acid hialuronik, një substancë që gjendet natyrshëm në trup dhe ndihmon në mbajtjen e lagështisë dhe volumit.
Mjeku ose profesionisti injekton këtë substancë në zona të caktuara të fytyrës ose trupit për të mbushur rrudhat, për të rritur volumin (p.sh. buzët, faqet), për të përmirësuar konturet e fytyrës dhe për të hidratuar thellësisht lëkurën.

Foto ilustrim: Aplikimi i fillerit
Acidi hialuronik ka aftësi të tërheqë dhe të mbajë ujë, kështu që e bën lëkurën më të plotë dhe më të lëmuar, si dhe jep efekt të menjëhershëm.
Efekti i acidit hialuronik zgjat 6 deri në 18 muaj.
Rreziqet e acidit hialuronik, nëse aplikohet nga persona të palicencuar, janë: ënjtje, mavijosje, infeksion, deformim ose rezultate jo natyrale dhe, në raste të rralla, bllokim i enëve të gjakut.
Çka është aplikimi (injektimi) i botox-it?
Aplikimi i botox-it është një procedurë estetike ku injektohet një dozë e vogël e toksinës botulinike në muskuj të caktuar të fytyrës (ose trupit), për t’i relaksuar ata përkohësisht.
Aplikimi i botox-it kryhet me gjilpëra shumë të holla dhe injektohet në muskuj specifikë, si në: ballë, mes vetullave dhe rreth syve.
Kur aplikimi i botox-it bëhet nga persona të palicencuar, atëherë paraqiten këto rreziqe estetike dhe shëndetësore.

Rreziqet estetike: rënie e qepallës (sy “i varur”), asimetri në fytyrë, fytyrë “e ngrirë” (pa mimikë natyrale) dhe rezultate të panatyrshme.
Rreziqet mjekësore: dozë e gabuar (paralizim i tepërt i muskujve), injektim në vend të gabuar (dëmtim i nervave), infeksione dhe reaksione alergjike.
Por, në raste më të rralla paraqiten edhe këto rreziqe: vështirësi në të folur ose gëlltitje, probleme me frymëmarrjen (nëse toksina përhapet gabim) dhe përhapje e efektit në zona të tjera të trupit.
LEXONI EDHE:














