Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e lartësoi me fjalë figurën e Liburn Aliut pasi ky i fundit dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Infrastrukturës për arsye të zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar Kuvendi.
Rama tha se largimi i tij përveç që është humbje për institucionet, është humbje “për të gjithë ne”.
“Dua ti shpreh mirënjohjen time më të thellë Liburn Aliut, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe korrektësinë që tregoi gjatë gjithë kohës sa ishte Ministër i Infrastrukturës në raport me mua si Kryetar i Kryeqytetit. Ai mbetet bashkëpunëtori i vetëm i kësaj qeverie që tregoi angazhim të vazhdueshëm dhe përgjegjës për qytetarët e Kryeqytetit.
Largimi i tij nga institucioni nuk është vetëm një humbje për institucionet, por për të gjithë ne që besojmë tek puna dhe idealet e larta të shërbimit publik.
I uroj suksese në çdo hap të ri dhe e falënderoj nga zemra për kontributin e tij të çmuar në forcimin e unitetit tonë qytetar dhe kombëtar”, deklaroi Rama.
Megjithatë, fjalë hiç fort të mira në kohë zgjedhjesh s’kishte Aliu për Ramën. Përgjatë kohës sa në Prishtinë LDK’ja me Përparim Ramën po përballej në balotazh me Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje më 2021-ën, Aliu thoshte se s’beson që mund t’i realizojë projektet Rama.
Deklarimi i plotë:
“Shiko si është puna, do të dëshiroja që zoti Rama, si eventualisht kryetar i Prishtinës të mos jetë arkitekti i Byrosë së tij, por të jetë kryetari i Prishtinës. Tu e pa si arkitektin e Byrosë së tij, ne e kemi një lagje këtu ku jemi në qendër, është zona që është trajtu dhe s’është dhanë asnjë leje asnjëherë. Ne kemi zona urbanizuese, plane rregulluese brenda Prishtinës, të cilat janë bërë nga viti 2004, 2005, 2006, 2007 e kështu më radhë, e ka raste të cilat asnjë leje s’është dhënë. Ka qenë e pamundur të jepet një leje ndërtimi. Ka prona private, ka interesa që të ndërtohet, por asnjë leje s’është dhanë. Sepse, kanë qenë të parealizueshme si plane. Kjo ka qenë një ndër defektet e mëdha të viteve të hershme, nga viti 2004-2005 deri në kohën e 2013-shit që është miratu plani zhvillimor urban. Kjo kohë ka prodhu plane që kanë qenë të parealizueshme.
Ti mund të japësh dizajn, mund të ketë trajtim estetik një territor i caktum, por kjo është e pamjaftueshme. Unë kam pasur rast atëherë në debatet që kam qenë drejtor, ai thojke: E jemja është me e dizajnu, e komunës është me e zbatu. Nëse ti bën diçka të pazbatueshme, në Lagjen e Medreses që e përmenda, aty mespërmes asaj lagje është e planifikume një rrugë me katër shirita që s’mund të realizohet kurrë.
Planifikimi territorit është multidisiplinar dhe kërkon trajtim nga politikat fiskale e deri tek sociologët e në fund janë edhe arkitektët. Pa trajtim të shumëanshëm të territorit, të lagjeve të caktume, nuk ka ‘de facto’ zbatim të mirëfilltë të planeve”.
Në fund, Aliu shprehej i bindur se Arben Vitia do ta fitonte Komunën e Prishtinës.