Korridori si objekt i braktisur prej vitesh, zyra të thyera, banjo të shkatërruara, dysheme të plasaritura. Këto janë pamje ekskluzive që dalin për herë të parë në dritë nga kampi më i famshëm i policisë në Kosovë, Kampi “Enver Zymeri”, i njohur si “Belvedere” në Mitrovicë.
Dhe ndryshe nga emri, s’ka gjë heroike në të.
Asnjëherë më herët nuk janë publikuar imazhe nga ky objekt ku janë të vendosura Njësitë Speciale të Policisë dhe ajo çfarë shihet është e tmerrshme.
Në një nga kabinat e banjës, një bazë dushi e konsumuar nga përdorimi me njolla lagështie dhe shenja amortizimi në skaje, tregon qartë se këto struktura nuk do duhej të përdoreshin në këtë gjendje prej kohësh.
Dhe s’është veç hapësira brenda në këtë nivel degradimi.
Pamja hyrëse është tronditëse po ashtu, me oborrin që duket si hapësirë e madhe për grumbullim mbeturinash.
Kjo është shtëpia e zyrtarëve specialë të Policisë së Kosovës, me të cilët krenohet Xhelal Sveçla. Në këtë objekt që për nga pamja do të duhej të reprezentonte atë që e pretendon Qeveria kur flet për Policinë e Kosovës, nuk është ndërhyrë që nga paslufta. Edhe pse, Qeveria e Albin Kurtit pati premtuar intervenim emergjent.
Në vitin 2024 u ndanë 1 milion euro për investim, ndërsa për tre vitet pasuese u planifikuan edhe 4 milionë euro të tjera për ndërtim dhe renovim.
Megjithatë, asnjëra nga këto ndërhyrje nuk u realizua. Në vitin 2025, shuma e planifikuar për investime u rrit në mbi 6 milionë euro, por edhe pas tre vitesh, i vetmi investim konkret i realizuar në këtë kamp mbetet ndërtimi i disa garazheve me vlerë rreth 500 mijë euro.
Ndërkohë, i njëjti projekt figuron sërish në buxhetin e vitit 2026, por me shtyrje të afatit të përfundimit.
Në planifikimin e vitit 2024 ishte paraparë që punimet të përfundonin në vitin 2026, por projekti nuk ka nisur fare. Kurse në planin e vitit 2026 përfundimi është shtyrë për vitin 2027, por prapë ende nuk ka filluar. Rëndësia e këtij projekti është thelbësore.
Policët Specialë të Kosovës në këtë kamp flenë, ushtrojnë dhe ushqehen çdo ditë. Kontejnerët që përdoren aty fillimisht janë shfrytëzuar nga pjesëtarët e KFOR që nga paslufta, çka do të thotë se disa prej tyre kanë mbi dy dekada në përdorim.
Pse është e rëndësishme që investimi aty të nis sa më parë? Në vitin 2022, pas një inspektimi nga Komisioni Parlamentar për Çështje të Sigurisë, u mbyll Stacioni i Policisë në Kodrën e Trimave, i cili funksiononte në kushte të ngjashme, në kontejnerë të vjetër dhe të improvizuar.
Madje, si anëtar i këtij komisioni, Mefail Bajqinovci i Vetëvendosjes pati treguar që vetëm nga ai stacion kishin rezultuar 5 policë me kancerë e kontenierët e njëjtë i kishin konstatuar si kancerogjen.
“Me datën 4 mars si komision vizituam këtë stacion dhe mbetëm të habitur për kushtet e rënda të punës së policëve, që ishin ambiente të improvizuara me kontejnerë të vjetër 21-vjeçarë dhe kancerogjenë. Vetëm nga ky stacion policor, fatkeqësisht kanë rezultuar 5 policë të sëmurë nga kanceri!”.
Disa pyetje për ministrin që udhëheq punën e Policisë, Sveçlën, si është e mundur që njësitë elite të Policisë së Kosovës, të cilat angazhohen në operacionet më të ndjeshme të sigurisë në vend, të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në kushte të improvizuara në kontejnerë mbi 20-vjeçarë?
Si mund të justifikohet fakti që milionat planifikohen në buxhet vit pas viti, ndërsa investimet reale në terren mungojnë?
Dhe mbi të gjitha, a është kjo mënyra se si shteti trajton njësitë që i konsideron vijën e parë të sigurisë?














