Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka deklaruar se shërbimet e sigurisë serbe “kanë prova” lidhur me sabotimin në kanalin Ibër-Lepenc, sipas të cilave “shihet se në këtë incident është përfshirë Policia e Kosovës”.
Gjuriq, në lidhje me këtë, ka thënë se “është i tmerruar nga arrestimet e reja të serbëve në ditën e Pashkëve”, transmeton Paparaci.
“Kjo kujton një model të përndjekjes mbi baza kombëtare që tashmë e kemi parë në dy vjet e fundit, por që nuk has në dënimin e mjaftueshëm nga bashkësia ndërkombëtare. Sot shohim thirrje për të hequr masat kundër Kosovës, shohim mbështetje për regjimin e Kurtit, dhe duhet thënë se të gjithë së bashku nuk e kemi ndaluar sjelljen e tij. Politika që ai promovon nuk ka vend në të ardhmen e Evropës. Ajo që ai ka bërë me kanalin është një tregim në vete. Është fakt që organet tona “kanë prova të qarta”, sepse ata “nuk do të dilnin në publik pa prova të forta si guri”. Hetimi ynë nuk ka zgjatur gjysmë ore si i tyre, por është fjala për një analizë disa mujore që ka treguar “përfshirjen e policisë në këto ngjarje”, dhe tani pres reagimin e aktorëve ndërkombëtarë që duhet t’i shndërrojnë ato në pasoja juridike. Ndihmësit dhe bashkëpunëtorët e Kurtit, ose kushdo që ka dhënë urdhra politikë, do të duhet të përballen me pasojat,” ka thënë shefi i diplomacisë serbe në televizionin në shërbim të regjimit aktual serb “TV Përva”.
Megjithatë, ai theksoi se ofensiva e Kosovës për njohjen e pavarësisë “është shqetësuese”.
“Në Prishtinë ekziston një garë mes pushtetit dhe opozitës se kush do të sjellë më shumë njohje. Edhe ne kemi pasur suksese në këtë drejtim – 28 vende “kanë tërhequr njohjen”, ndërsa vetëm tre janë të reja, por këto dy të fundit tregojnë se Prishtina po punon intensivisht për këtë dhe do të përpiqemi me të gjitha mënyrat që ta pengojmë,” ka thënë Gjuriqi.