Vendimi i Gjykatës Speciale për shfuqizimin e udhëzimit Administrativ për arkat fiskale, s’u prit aspak mirë nga partia Vetëvendosje. Anëtarë të kësaj partie filluan sulmet ndaj sistemit gjyqësor duke kundërshtuar vendimin e supremes. Edhe vetë Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, doli me reagim ku vendimi i Supremes u cilësua si vendim i pabazuar dhe që i njëjti përben interpretim të njëanshëm, shkruan Gazeta Express.
Rreth gjithë kësaj situate, dhe sulmeve të bëra nga pushteti drejtuar sistemit gjyqësor ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
Ambasadori ka theksuar se kjo situatë është diskutuar mes shefave të misioneve të BE-së.
Orav ka vlerësuar se sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe ndërhyrjet politike janë të papranueshme.
“Shefat e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet ndaj gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor janë të papranueshme”, ka shkruar Orav.
Sulmet ndaj këtij sistemi janë bërë edhe nga zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, si dhe nga Koordinatorja e Komiteteve të Vetëvendosjes, Dejona Mihali.