Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, pas deklarimit të tij se Ushtria Çlirimtare ka qenë organizatë terroriste.
Sveçla ka thënë se me këtë deklaratë zyrtari serb ka nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vend.
Ai ka thënë se Kosova është shtet demokratik, por nuk do të tolerohen fyerje dhe përdhosje të historisë.
“Dua të theksoj se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare. Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, ka shkruar Sveçla në Facebook.