Besnik Tahiri, kandidati për deputet i koalicionit Kosova Fituese, ka thënë se ekzekutivi i tanishëm i vendit i drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje është duke gënjyer e mashtruar.
Në tubimin e sotëm me degën e Prishtinës, ai ka pohuar se Pallatin e Rinisë dhe Teatrin për Operën dhe Baletin i kishte nisur Ramush Haradinaj, sa ishte kryeministër.
“Nga këtu i drejtohem secilit klub sportiv, secilit person që merret me sport të gjitha shoqatave që e shfrytëzojnë këtë ndërtesë e këtë sallë, i drejtohem qytetarëve të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, që më datën 22 dhjetor 2017, që kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të largohet Pallati i Rinisë nga Agjencioni për Privatizim, dhe ia ka bart nën administrim kryeqytetit, Prishtinës”.
“Tani i drejtohem secilit artist, ata që për shumë vite kanë folur për Teatrin e Operës, e që u promovua para disa dite, vendimin për të ndërtuar Teatrin e Operës dhe Baletit në ndërtesën e Gërmisë e ka marrë Ramush Haradinaj, 14 mars 2019, dhe mos rreni e mos bëni fushatë, ne u kemi dhënë Pallatin e Rinisë, dhe ua kemi dhënë ligjin për kryeqytet”, ka thënë Tahiri.