Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se ai dhe presidenti rus Vladimir Putin diskutuan për Kosovën, si dhe për situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë, veçanërisht në Republikën Serbe.
Vuçiqi ka thënë se ka pasur “biseda shumë të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme” me Putinin dhe se ata prekën të gjitha temat me interes të ndërsjellë. Ai ka shtuar se Rusia është e vendosur në qëndrimin e respektimit të integritetit territorial të Serbisë, raporton revista serbe NIN.
“Rusia është e vendosur në qëndrimet që ka mbajtur gjatë gjithë kohës në lidhje me respektimin e integritetit territorial të Serbisë, por jo vetëm kaq. Kjo flet qartë për prishjen dhe shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera që nënshkruam me palën tjetër në prani dhe me të gjitha garancitë e palës së tretë”, ka pretenduar Vuçiqi, transmeton Paparaci.
Ai ka thënë se gjithashtu ka biseduar me Putinin edhe për situatën në BeH dhe veçanërisht në Republikën Serbe.
“Unë besoj se presidenti i RS Millorad Dodik së shpejti do të ketë takime me ministrat në qeverinë ruse, besoj, pas rreth shtatë ose dhjetë ditësh, në mënyrë që të jetë në gjendje të ofrojë më shumë informacione mbi këtë çështje. Ajo që më interesonte si president i Serbisë, është se mora qëndrime të qarta të Federatës Ruse dhe ne do ta bëjmë këtë, gjithmonë duke respektuar para së gjithash qëndrimet serbe, por duke dëgjuar dhe kuptuar se çfarë mendojnë të tjerët, do të arrijmë gjithashtu në atë që qëndrimet tona do t’i nënshtrohen më në fund çështjeve të rëndësishme në rajon”, ka thënë Vuçiqi.
Sipas fjalëve të tij, ai ka diskutuar gjithashtu çështjet gjeopolitike me Putinin, gjithçka që po ndodh në botë, dhe u diskutuan të gjitha aspektet e bashkëpunimit midis Serbisë dhe Rusisë në të gjitha fushat