Të shtëna me armë alarmuan qytetarët mesditën e së shtunës në Skenderaj, në afërsi të objektit të Gjykatës, duke detyruar Policinë të reagojë menjëherë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 12:50, në rrugën “18 Qershori”, prapa objektit të Gjykatës në Skenderaj, ku ishte raportuar për të shtëna me armë.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në një objekt banesor po zhvillohej një aheng familjar.
Sipas burimeve, pronari i shtëpisë ka deklaruar se djali i tij, Ardian Lushtaku, 34 vjeçar, kishte shtënë tri herë në ajër me një pistoletë me gaz.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka sekuestruar një armë me gaz të tipit “Ekol Special 99”, si dhe tri gëzhoja, të cilat dyshohet se ishin përdorur gjatë të shtënave.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Skenderaj dhe, pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma është sekuestruar si provë materiale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












