Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara, pas kthimit nga presidentja Justina Shiroka-Pula në Kuvend për rishqyrtim, nuk mund të amandamentohet në formën aktuale, por duhet të nisë nga zero nëse synohet ndryshimi i tij.
Duke komentuar zhvillimet rreth këtij ligji në Five në TV Dukagjini, Kryeziu ka thënë se presidentja ka të drejtë që një ligj ta kthejë në Kuvend vetëm një herë, ndërsa Kuvendi mund ta miratojë sërish me së paku 61 vota, pa pasur nevojë për dekretimin e tij nga presidentja.
“Në bazë të Kushtetutës, neni 80, kryetari i shtetit, presidenti ka vetëm një herë të drejtë ta kthejë ligjin. Që nënkupton ligjin e suspendon dhe duhet të bëhet një ligj i ri. Nëse parlamenti i Kosovës nuk dëshiron ta bëjë një ligj të ri, atëherë brenda katër javëve, në bazë të Rregullores së Parlamentit, duhet të votohet dhe minimumi t’i ketë 61 vota. Që nënkupton ligji hyn në fuqi drejtpërdrejt pa u dekretuar nga presidenti”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai i ka cilësuar si të paprecedentë zhvillimet aktuale rreth këtij ligji, duke vlerësuar se nuk kanë një qartësi të mjaftueshme procedurale dhe kushtetuese.
“Këto situata që ne po i shikojmë, për mua janë paprecedent dhe nuk kanë ndonjë filozofi kështu të qartë procedurale ose kushtetuese. Ligji ose duhet të amandamentohet dhe të fillojë nga zero. Ose duhet të kalojë, t’i kthehet me 61 vota dhe të hyjë në fuqi pa u nënshkruar nga presidenti”, ka thënë ai.
Kryeziu ka theksuar se ligji aktualisht nuk mund të ndryshohet përmes amendamenteve, pasi është suspenduar pas kthimit nga presidentja. Sipas tij, nëse synohet ndryshimi i përmbajtjes, duhet të iniciohet një proces i ri ligjvënës, duke nisur nga procedurat fillestare parlamentare.
“Ky ligj nuk ka të drejtë të amandamentohet sepse është i suspenduar, por mund të amandamentohet nëse fillon nga zero. Sikurse ka filluar për herë të parë, miratohet në Parlament, i ka ato procedurat në rastin e parë e të dytë e kështu me radhë, në komisionet profesionale. Përndryshe, kështu siç është ligji nuk ka të drejtë të amandamentohet. Vetëm mund të votohet me 61 vota, të cilat i parasheh Rregullorja e Kuvendit”, është shprehur Kryeziu.
Ish-gjyqtari i Kushtetueses ka folur edhe për kompetencën e presidentes në kthimin e ligjit, duke thënë se ajo është dashur të veprojë në mënyrë të pavarur nga partitë politike.
“Presidentja është dashur ta nënshkruajë, s’është dashur t’i dëgjojë partitë politike. Ajo është kompetencë e saj ekskluzive për ta kthyer ligjin, jo nga presionet politike, por nëse ajo e sheh të arsyeshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Kryeziut, ekzistojnë dy arsye kushtetuese për kthimin e një ligji nga presidentja: nëse vlerëson se me të cenohet rendi juridik dhe kushtetues ose nëse cenohen të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare.
Ai ka përsëritur se në rast se Kuvendi vendos ta miratojë sërish ligjin me 61 vota, ai hyn në fuqi pa nënshkrimin e presidentes.
“Dhe dy janë arsye kushtetuese se pse mund të kthehet ligji. E para është nëse me këtë ligj konsiderohet se cenohet rendi juridik dhe kushtetues. Dhe e dyta me këtë ligj cenohet të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare apo minoriteteve.
Heqja e presidentit nënkupton me i marrë 61 vota. Dhe presidentja s’ka më nevojë ta nënshkruajë”, ka thënë Kryeziu.
Ndryshe, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara ishin miratuar nga Kuvendi më 6 tetor, pas nismës së PDK-së, e cila erdhi pas dënimit në shkallë të parë të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, më 16 shtator.
Presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte kthyer ligjin në Kuvend më 22 tetor, pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtim. Ndërkaq, në mbledhjen e 12 nëntorit të Komisionit për Legjislacion, PDK-ja kërkoi që Kuvendi të votojë për rrëzimin e vetos së presidentes, ndërsa VV-ja kërkoi nisjen e një iniciative të re ligjore.














