Kandidatja për deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për herë të parë pas daljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Mes tjerash, në reagimin e saj ku thotë se qytetarët ndëshkuan partinë e Kurtit, ajo shprehet se ata i dhanë një mesazh edhe opozitës.
Një fjali që bie në sy është edhe pjesa kur thotë se tema qendrore u bë “kush ku do të ulet”, duke aluduar kështu edhe tek ambicia e Vjosa Osmanit që me çdo kusht ta fitojë karrigen e presidentes.
“Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet”, shkroi ajo duke potencuar se, përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve.
Rrjedhimisht, Bajrami ka deklaruar se rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse sipas saj “duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur”.
Në anën tjetër, kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, në paraqitjen e saj të parë pas shpalljes së rezultateve preliminare – ku u shfaq në një konferencë së bashku me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku – u shpreh: “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për presidente të 7-të të Republikës së Kosovës, kaq është përgjigja ime”












