Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka reaguar ashpër ndaj tërheqjes së kërkesës së Presidentes Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese, duke e quajtur këtë një manovër politike të saj dhe “regjimit në ikje”.
Sipas Dedajt, kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve për ta zvarritur krijimin e institucioneve dhe për të ruajtur pushtetin e Albin Kurtit me çdo kusht.
Dedaj ka kritikuar Osmanin se nuk ka reaguar më herët ndaj gjyqtarit Radomir Laban, për të cilin tani pretendon se paraqet rrezik për sigurinë e vendit. Ai e cilësoi situatën si “tragjiko-komike” dhe akuzoi Kurtin e Osmanin se po e mbajnë peng shtetin për interesa personale e politike.
Përgjigja e plotë dhënë për GazetaBlic:
Tërheqja e kërkesës së Vjosa Osmanit në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me pasojat e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, tani duke e lidhur me gjyqtarin serb Radomir Laban, është edhe një manovër e Osmanit dhe regjimit në ikje, përgjegjës për degradimin dhe shkatërrimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe prolongimin në pafundësi të krijimit të institucioneve shtetërore, me qëllim të ruajtjes me dhunë e intriga të pushtetit tashmë të uzurpuar të Albin Kurtit.
Ku ka qenë deri më tash Vjosa Osmani, e cila nuk i ka bërë publike për opinionin faktet e papërshtatshmërisë së gjyqtarit Laban, i cili na qenka i rrezikshëm për Kosovën?
Çfarë ka pritur deri më tani Osmani dhe institucionet e sigurisë së Kosovës, të cilat nuk kanë ndërmarrë masa adekuate shtetërore ndaj gjyqtarit Laban?
Kjo mund të jetë tallja e radhës e Vjosës dhe Albinit me tërë këtë situatë tragjiko-komike, të cilën e kanë orkestruar që Kosova të mos ketë institucionet imediate dhe tejet të nevojshme, duke e lënë peng shtetin në mungesë të votave të LVV-së populiste dhe staliniste dhe luftës së tyre për pushtet me çdo kusht dhe çdo mjet.
Osmani dhe Kurti janë fajtorë dhe në koordinim për ta shpartalluar Republikën e Kosovës, në emër të ruajtjes së pushtetit të tyre matrapaz dhe neokomunist.