Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit “Top Secret 2”, i përfshirë në mesin e dëshmive në aktakuzën e PSRK-së për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit.
“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), përmes kësaj kërkese zyrtare, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si ‘Top Secret’, përfshirë origjinën, autenticitetin, mënyrën e sigurimit dhe publikimit të tij, si dhe rrethanat e nxjerrjes së pretenduar nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli”, thuhet në një njoftim të BIK për këtë zhvillim.
Në njoftimin e BIK-ut thuhet se përmbajtja e publikuar e paraqet këtë institucion në mënyrë të rreme dhe se pretendohet që Bashkësia Islame është nën ndikimin e shërbimeve të huaja të sigurisë, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si institucione të financuara për qëllime destabilizuese.
“Këto janë akuza jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme, të cilat cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe dinjitetin e institucionit tonë, të imamëve, teologëve dhe besimtarëve tanë”, thuhet në kërkesën e BIK drejtuar Prokurorisë Speciale.
Kujtojmë se dokumenti është paraqitur nga Prokuroria Speciale si pjesë e provave në aktakuzën ndaj Shehollit.
Dokumenti “Top sekret 2” sipas Prokurorisë, është gjetur në telefonin e Shehollit, dhe aty pretendohet se fonde të mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd, do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë.
Sipas përmbajtjes së dokumentit, qëllimi do të ishte shtrirja e ndikimit të islamit, përçarja e shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i perceptimit të Perëndimit për Kosovën, për të krijuar rrethana që do t’i shërbenin synimit të Serbisë për rikthimin e Kosovës nën juridiksionin e saj./Reporteri.net/













