Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar me një mesazh prekës pas tragjedisë së ndodhur në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shqiptar tha se e ka marrë lajmin me hidhërim të thellë, duke ndarë dhimbjen me familjet e viktimave dhe duke uruar shërim për të rinjtë e tjerë të përfshirë në ngjarje.
“Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin”, tha Begaj në reagimin e tij, teksa u shprehu ngushëllime të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë ngjarje të rëndë.
Ndër të tjera, ai uroi shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre.
Kreu i shtetit shqiptar theksoi se tragjedia duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë kujdes dhe përgjegjësi në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit veror kur numri i pushuesve rritet ndjeshëm.
“Nisur nga ky rast i rëndë, ftoj institucionet qendrore dhe vendore, si edhe operatorët turistikë, të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në plazhe gjatë gjithë sezonit veror.”
Ai theksoi se qëllimi duhet të jetë parandalimi i ngjarjeve të tilla dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve e vizitorëve.













