Politikanja serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, ka bërë pretendime të mëdha për mundësinë e arrestimit të Milan Radoiçiqit, orkestruesit kryesor të sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Sipas saj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet të arrestojë Radoiçiqin brenda muajit të ardhshëm, për të mundësuar vizitën e ardhshme të presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.
Në një intervistë për agjencinë Beta, Trajkoviq deklaroi se Vuçiq është “në presion të madh” nga bashkësia ndërkombëtare për arrestimin e Radoiçiqit.
“Vuçiq është nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Milan Radoiçiq. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë pranuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në Beograd, që do të thotë se nuk ka presion për ekstradimin e Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit të tij në Prishtinë. Vuçiq ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiqin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez Emmanuel Macron”, tha Trajkoviq në një intervistë për agjencinë Beta.
Sipas politikanës serbe, kushti i arrestimit nuk diskutohet publikisht, por mbetet parakusht për vizitën e presidentit francez.
Trajkoviq e cilësoi arrestimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe Radoiçiq si “testin më të vështirë” për Vuçiqin.
“Vuçiqit e ka pasur shumë më të lehtë të heqë dorë nga një pjesë e territorit të Serbisë ose tash të pranojë shfrytëzimin e litiumit, sesa të heqë dorë nga njerëzit që kanë zbatuar urdhrat e tij dhe përveç kësaj, ata janë edhe nga mjedisi kriminal. Arrestimi i Radoiçiqit do të jetë një rrezik i madh për Vuçiqin”, tha ajo.
E pyetur se për çfarë e kishte fjalën për “rrezikun e lartë” me të cilin Trajkoviq tha se presidenti serb mund të përballet, politikanja serbe pretendoi se Vuçiq frikësohet se gjyqësori serb mund të pranojë nformacione nga subjektet e huaja, duke ia pamundësuar kështu Vuçiqit “mbrotjen e Radoiçiqit”.
“Nëse gjyqësori heton Banjskën dhe Radoiçiqin, inteligjenca e huaj mund të vërshojë, duke komplikuar përpjekjet e Vuçiqit për të mbrojtur Radoiçiqin nga përgjegjësia,” citohet të deklaruar ajo.
Lidhur me mundësinë e një falje nga Perëndimi për rastin e Banjskës, Trajkoviq ka deklaruar se Evropa i ka prioritet interesat e saj.
“Vuçiç mund të synojë të mbrojë operacionet e minierave të litiumit me Radoiçiqin dhe grupin e tij kriminal. Megjithatë, i dërguari i ri i SHBA për çështjet evropiane, Aleksandar Kasanoff, ka të ngjarë të kërkojë llogari për rastin Banjska,” shtoi ajo.













