Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë se sot po bëhen tre muaj nga greva e punëtorëve teknikë në Kuvendin e Kosovës.
Azemi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo grevë është më e gjata në historinë e grevave në Kosovë.
Ai po ashtu përmendi një gjest njerëzor të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci e cila i akomodoi grevistët në ambientet e brendshme të Kuvendit.
“Sot po hyjmë në muajin e tretë të grevës në Kuvendin e Kosovës, greva më e gjatë që e njeh historia, të dy palët nuk po lëvizin, grevistët jo se jo, vetëm plotësimi i kërkesës ato i kthen në punë.
Një gjest për tu respektuar është nga Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit e cila nuk i la të mërdhihen në këto temperatura të ftohta por i akomodoi grevistët në ambientin e brendshëm të Kuvendit. Faleminderit Sarandë, për tjerat shohim dhe vazhdojmë”, ka shkruar Azemi.