Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça në krye me Kryeshefin Faton Ahmetin, ka larguar nga puna përkohësisht, Valdete Shabanin, me arsyetimin se “ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës”, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Ky suspendim erdhi pasi katër herë ia ndërruan vendin e punës brenda një viti e gjysmë, pa e pyetur dhe pa i shikuar pengesat e saj fizike për të kryer punë.
Sipas këtij vendimi të siguruar nga Veriu.info zyrtarja Valdete Shabani ka “Keqpërdorur pozitën dhe ka tejkaluar autorizimet e dhëna” dhe ka “kërcënuar apo fyer kolegët apo persona të tjerë në objektet e punës”.


Në vendimin për suspendim të 24 nëntorit të këtij viti, menaxhmenti i Trepçës ka shkruar se Valdetja, në mars të këtij viti në një paraqitje publike në një televizion në Kosovë, “ka deklaruar në mënyrë fyese ndaj zyrtarëve të lartë të menaxhmentit të ndërmarrjes”, duke i quajtur “Këta janë si Millosheviqi”.
Ndërsa në muajin maj, po ashtu në një intervistë për një medie tjetër vendore, Valdetja ka përsëritur deklarata shpifëse dhe fyerëse, “duke përdorur gjuhë denigruese e pa fakte, me synim poshtërimin e figurës dhe personalitetit të Menaxhmentit të Trepçës si dhe me qëllim dëmtimin e reputacionit të tyre personal dhe profesional”.
Në këtë vendim suspendimi thuhet se Valdete Shabani ka bërë deklarata të pavërteta lidhur me kushtet e punës dhe gjendjen në njësinë biznesore duke pretenduar se është pranë shkatërrimit. Gjithashtu ka komentuar në platforma online të medieve lokale duke ofenduar menaxhmentin e ndërmarrjes Trepça.
Duke e mbyllur vendimin me arsyetimin se deklarimet publike, Valdetja i ka bërë pa autorizime, meqë punonjësit e ndërmarrjes nuk kanë të drejtë të komunikojnë me medie, duke shkelur Kodin e Etikës së ndërmarrjes.













